Lidhur me ngjarjen mbrëmjen e së hënës, ku në zonën e Astirit në Tiranë, mbeti i vrarë një 28 vjeçar, Vilson Tafçiu, policia ka një të dyshuar, pas kqyrjes së kamerave të sigurisë dhe marrjes në pyetjeve të dëshmitarëve.

Burime për Top Channel, bëjnë me dije, se ata ushtruan kontroll në shtëpinë e autorit të dyshuar të vrasjes, por nuk e gjetën brenda saj, ndërkaq po punohet për kapjen e tij.

Personi në kërkim, rezulton të jetë një i njohur i viktimës Tafçiu.

Viktima Vilson Tafçiu, mbrëmjen e atentatit ishte ulur me dy mikeshat e tij në një lokal në zonën e Astirit. Njëri prej autorëve e thirri jashtë dhe më pas e ekzekutuan me tre plumba në kraharor, në rrugicën pranë lokalit, çka i shkaktoi më pas vdekjen viktimës.
Motivet e kësaj ngjarjeje, vazhdojnë të jenë ende të pazbardhura, megjithatë, një nga pistat kryesore të hetimit, është edhe e kaluara e 28 vjeçarit.
Ai nuk ishte një emër i panjohur për policinë shqiptare. Në 7 mars të vitit 2018 Vilson Tafçiu u largua nga Shqipëri drejt Francës, ku vetëm 5 ditë më pas e arrestuan për shpërndarje të lëndëve narkotike. Drejtësia franceze e dënon atë me një vit burg, por pasi kreu 8 muaj denim në paraburgim, në 6 nëntor të 2018, ai u deportua në Shqipëri. një nga pistat e hetimit është edhe e shkuara e tij ne France në fushën e narkotikëve.

Megjithatë, për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe motivet që çuan në këtë vrasje, grupi hetimor ka sekuestruar të gjitha kamerat e sigurisë së lokalit ku po qëndronte viktima, e po ashtu janë sekuestruar edhe kamerat e bizneseve pranë vendit të ngjarjes. Nga ana tjetër janë shoqëruar një numër i konsiderueshëm dëshmitarësh.

Vilson Tafçiu, jetonte në Dibër, por të hënën kishte ardhur në Tiranë për ceremoninë mortore të gjyshes së tij.

Andi Bora

Top Channel