Quique Setien e nis me fitore aventurën e tij si trajner i Barcelonës. Skuadra katalanase mundi në Camp Nou, Granadën me rezultatin e ngushtë 1-0 dhe merr kreun e La Ligës së bashku me Realin e Madridit teksa të dy skuadrat janë në kuotën e 43 pikëve secila.
Barcelona hyri në fushën e lojës me presionin e fitores për të mos lejuar shkëputjen e rivalëve madrilenëve në klasifikim. Dhe fitorja erdhi në minutën e 76 me golin e shënuar nga kapiteni Lionel Messi pas një pasimi vërtet të bukur të Arturo Vidal që ndryshe nga sfidat e kaluara ishte në fushën e lojës si titullar. Granada pati meritën që t’ia vështirësonte gjërat Barcelonës madje në një rast goditi edhe shtyllën, por në fund katalanasit morën 3 pikët e para me Quique Setien në pankinë.
Në Itali, Juventus përfitoi nga barazimi i Interit me Leccen dhe mundi parmën 2-1 duke krijuar një diferencë prej 4 pikësh me zikaltrit në krye të renditjes. Cristiano Ronaldo u bë protagonisti për bardhezinjtë, teksa ishte autori i të dy golave për Juventusin ndërkohë që Parma shënoi golin e barazimit të përkohshëm me Cornelius. Me ndeshjen ndaj parmës, Ronaldo shkroi një tjetër faqe në historinë e futbollit italian dhe atij evropian. 34 vjeçari barazoi Trezeguet teksa regjistroi ndeshjen e 7 radhazi që gjen golin si dhe Omar Sivorin me bilancin 16 gola të shënuar në 17 ndeshje. për më tepër, Ronaldo bëhet i pari futbollist që në secilin prej 14 sezoneve të fundit në të paktën 1 nga Ligat më të rëndësishme Evropiane shënon 15 gola.
Top Channel