Emancipimi i turmave nuk ka ndodhur përgjatë këtyre 30 viteve tranzicion, sepse ata që drejtojnë institucionet i kanë përdorur a po keqpërdorur në të shumtën e herës këto turma për interesat e tyre vetjake politike.
Këtë ka dashur të thotë mes rreshtash apo edhe drejtpërdrejt Ervin Lera në dokumentarin e tij “Emancipimi i turmave”, ku fjala emancipim vendoset mes thonjëzave.
“Gjithsecili prej nesh është pjesë e një turme, turmave të heshtura apo stative. Pikërisht këtë duhet të dallojmë tek vetja, kujt turme i përkasim. Nëse ka një turmë që duhet të aktivizohemi, pse mos ta bëjmë. Por më e rëndësishme mendoj unë të paktën pas këtij filmi, në qoftë se ka një turmë,, të cilës duhet ti shmangemi, duhet ta bëjmë më shpejt akoma”, shprehet Ervin Lera.
Lera sjell një historik të protestave dhe konflikteve më të mëdha përgjatë këtyre viteve, dhe i bën një homazh protestës së studentëve në dhjetorin e 2018. Ai gjithashtu nëpërmjet analizës dhe gjuhës filmike na sjell prapaskenat e përdorimit të turmës përgjatë kryengritjeve kryesore të saj.
“Ajo që ndodhi në dhjetor të 2018 me studentët duhet të ishte përditshmëria, në vend të kësaj përditshmërie që ne po jetojmë duke protestuar për çfarë?”, thotë Lera.
Ky realizim filmik përveç skenarit dhe regjisë së Ervin Lerës, kishte si bashkëpunëtor në prodhim Agim Kurin dhe Gjergji Panon. Ndërsa në analizë merrnin pjesë Përparim Kabo, Afrim Krasniqi dhe Ben Andoni.
“Ne kemi shumë nevojë të dalim nga sjellja përmes turmave dhe të hyjmë në sjelljen institucionale. Ky është një nga thelbet e revolucionit demokratik në Shqipëri, që ende nuk është bërë. Nuk janë turmat që mund të imponojnë vendimarrjen e institucioneve. Janë institucionet që janë të zgjedhura dhe të emëruara për të mbrojtur dhe shprehur interesant e demokracisë kolektive dhe të grupeve të caktuara të interesit”, tha Perparim Kabo./Jetona Kocibelli/
Top Channel