Lazio vijon të impresionojë në kampionatin italian, teksa pasditen e djeshme arriti fitoren e 11 radhazi, duke u ngjitur edhe më shumë në renditje dhe tani është vetëm një pikë më pak se Interi e 3 më pak se Juventusi që kryeson kampionatin.’
Pikërisht këto dy skuadra do të zbresin në fushë sot, me bardhezinjtë që do të presin në mbrëmje Parmën në shtëpi, në një takim ku fitorja është detyrim për të provuar që minimalisht të mbajë në distancë rivalët në garën për titullin kampion.
Bardhezinjtë vijnë në këtë takim në një moment mjaft të mirë, pasi Dybala po kalon një formë të shkëlqyer, ndërsa edhe Cristiano Ronaldo pritet të jetë gati, pasi pushoi në mesjavë në ndeshjen e Kupës së Italisë përballë Udineses.
Nga ana tjetër Parma vjen me mungesa të shumta në sulm, ku edhe njëherë do të jetë Kucka që do të avancojë për të formuar treshen me Inglessen dhe Kulusevskin, me këtë të fundit që është në pronësi të Juves dhe do të qëndrojë me emilianët deri në fund të sezonit.
Por kampionatin italian do të startojë sot që në orën 12:30 me sfidën Milan-Udinese, ku kuqezinjtë e Piolit do të kërkojnë rikthimin te suksesi edhe në “San Siro”, pasi kanë marrë konfirmime të mira në takimet e javëve të fundit në transfertë.
Në orën 15:00 vëmendja do të jetë në “Via Del Mare” ku Lecce vendase do të presë Interin, me zikaltrit që vijnë pas një tjetër hapi fals në shtëpi përballë Atalantës dhe do të kërkojnë maksimumin nga kjo transfertë, për të rimarrë kreun e renditjes të paktën për disa orë.
Antonio Conte do të ketë thuajse të gjithë lojtarët në dispozicion, teksa janë rikthyer nga pezullimi Skriniar dhe Barella, ndërsa mungesat e vetme janë ato të D’Ambrosios dhe Vecinos. Vetë tekniku, për të cilin transferta në Lecce është një “rikthim në shtëpi”, ka kërkuar përqendrim dhe angazhim për të marrë maksimumin nga kjo sfidë.
Takimet e tjera të Serisë A, që do të jenë në platformën Digitalb janë edhe Bologna-Verona në orën 15:00 dhe Genoa-Roma në orën 18:00, me verdhekuqtë që vijnë pas dy disfatash radhazi në shtëpi dhe do të kërkojnë reagimin në “Marassi”.
Top Channel