Dy persona mbetën të plagosur pas një atentati këtë mbrëmje në lagjen Kushtrimi në qytetin e Vlorës. Roland Çepaj 28 vjeç dhe kunati i tij, Nikollaq Çepaj, që njihej edhe me mbiemrin Taullaraj janë qëlluar me armë zjarri nga një makinë.

Të dy të plagosurit ishin në ambientet e brendshme të një lokalit, ndërsa janë qëlluar me armë zjarri. Sipas burimeve të policisë, objektiv i atentatit ka qenë Nikollaq Çepaj, i liruar vetëm tre ditë më parë nga burgu.

Nikollaq Çepaj është person me precedentë penalë dhe nga hetimet e deritanishme dyshohet se ai ka qenë objekt i atentatit. Policia në vendin e ngjarjes ka kryer veprimet e para hetimore, duke ngritur edhe pika kontrolli në dalje të qytetit.

Por megjithatë automjeti me të cilin u larguan atentatorët u shpëtoi. Pak orë pas ngjarjes u gjet në aksin e vjetër rrugor Vlorë- Fier një automjet i djegur, me në brendësi të tij një armë e cila dyshohet se është automatiku që qëlloj ndaj dy personave.

Top Channel