Pompeo thyen heshtjen për kërcënimet e pretenduara ndaj amb. Yovanovitch

18/01/2020 02:19

Sekretari i Shtetit Mike Pompeo theu heshtjen gati 72 orëshe të premten lidhur me përgjimin e pretenduar dhe kërcënimet ndaj ish-ambasadores amerikane në Ukrainë, duke thënë se ai beson se akuzat do të vërtetohet të jenë të gabuara, por se ai kishte detyrimin të vlerësonte dhe hetonte çështjen.

Në intervista me drejtues konservatorë të radios, zoti Pompeo tha se ai nuk kishte njohuri për pretendimet deri në fillim të kësaj jave kur demokratët e Kongresit lëshuan dokumente nga një bashkëpunëtor i avokatit personal të Presidentit Donald Trump, duke sugjeruar se Marie Yovanovitch ishte përgjuar. Ai gjithashtu tha se nuk e dinte dhe nuk e kishte takuar kurrë Lev Parnasin, bashkëpunëtorin e Rudy Giuliani i cili ngre këto pretendime.

Pompeo, i cili po udhëtonte për në Kaliforni kur u publikuan dokumentet, ishte kritikuar ashpër nga ligjvënësit dhe diplomat aktualë dhe të shkuar për mos adresimin e çështjes. Dokumentet e siguruara nga Parnas sugjerojnë se mund të ketë pasur një kërcënim për ambasadoren Yovanovitch pak para se ajo të detyrohej të largohej papritur nga posti pranverën e kaluar.

“Ne do të bëjmë gjithçka që duhet të bëjmë për të vlerësuar nëse ka patur diçka që ndodhi atje,” tha ai në një intervistë në radio me Tony Katz, në Indianapolis. “Dyshoj se shumë nga ato që janë raportuar do të rezultojnë përfundimisht të gabuara, por detyrimi ynë, detyrimi im si Sekretar i Shtetit, është të sigurohemi që ne të vlerësojmë dhe hetojmë. Çdo herë që ka dikush që mendon se mund të ketë patur rrezik për një nga oficerët tanë, ne do ta shohim qartë çështjen”.

“Në Departamentin e Shtetit ne bëjmë gjithçka që mundemi për të siguruar që oficerët tanë, jo vetëm ambasadorët tanë, por gjithë ekipi ynë, kanë nivelin e duhur të sigurisë”, tha zoti Pompeo.

Deri tani, Departamenti i Shtetit kishte refuzuar kërkesa të përsëritura për të ofruar ndonjë mbrojtje publike për ish ambasadoren Yovanovitch, duke shkaktuar debate.

Akuzat, nëse janë të vërteta, janë thelbësore për hetimin e fajësimit ndaj presidentit Trump, i cili përballet me një akuzë se ai abuzoi me pushtetin e tij presidencial duke bërë presion mbi Ukrainën për të hetuar rivalin demokrat Joe Biden, duke përdorur si levë ndihmën ushtarake për vendin. Trump thotë se hetimi është një “mashtrim”.

Në atë kohë, aleatët e Trump po përpiqeshin që Yovanovitch, e cila shihej si pengesë për një hetimin ndaj Bidenit, të hiqej nga posti. Ajo u largua në fund të majit nga posti përpara përfundimit të mandatit të saj.

Ukraina nis hetimet

Autoritetet ukrainase thonë se kanë hapur një hetim për të zbuluar nëse Marie Yovanovitch, ish ambasadorja amerikane në Kiev, ishte përgjuar në mënyrë të paligjshme para se presidenti amerikan, Donald Trump, ta largonte atë papritur nga posti vitin e kaluar.

Lev Parnas, një biznesmen amerikan me origjinë ruse dhe bashkëpunëtor i ngushtë i avokatit personal të Presidentit Donald Trump, Rudy Giuliani, ka paraqitur disa dokumente të rëndësishme në procesin e akuzave ndaj Presidentit Trump dhe gjykimin e tij në Senat. Dokumentet befasuese përfshijnë letra dhe mesazhe me tekst që tregojnë Giulianin duke komunikuar në lidhje me ish-ambasadoren amerikane në Ukrainë Marie Yovanovitch, duke përfshirë edhe gjurmimin e lëvizjeve të saj në Kiev.

I pyetur në lidhje me pretendimet e Parnasit se Presidenti Trump u përpoq të bindte Ukrainën për të shpallur një hetim ndaj rivalit të tij demokrat, ish nënpresidentit Joe Biden, zoti Trump ka këmbëngulur vazhdimisht se nuk e njeh Parnasin.

“Nuk kam nevojë për ndihmën e një njeriu që nuk e kam takuar kurrë më parë, përveç se të kem bërë ndonjjë fotografi në një fushatë fondesh”.

Ministria e brendshme ukrainase thotë se do të hetojë pretendimet e Parnasit; do të hetojë gjithashtu nëse janë shkelur të drejtat diplomatike të ambasadores dhe ligji ukrainas.

“Sipas mekanizmave ligjorë ndërkombëtarë, Ministri i Punëve të Brendshme, Arsen Avakov, sugjeroi që pala amerikane mund të marrë pjesë në hetim. Ukraina pret që Shtetet e Bashkuara të përgjigjen menjëherë dhe mezi pret bashkëpunimin”, thotë Denys Lenets, zyrtar i lartë në Ministrinë e Brendshme të Ukrainës.

Pezullimi i përkohshëm i ndihmës ushtarake për Ukrainën nga Presidenti Trump çoi në ngritjen e akuzave kundër tij nga Dhoma e Përfaqësuesve muajin e kaluar dhe procesi ka kaluar tani në Senat. Të dyja dhomat e Kongresit amerikan kishin miratuar fonde për Ukrainën, të përfshirë në një luftë me Rusinë në territorin e saj. Të enjten, një agjenci mbikëqyrëse e qeverisë federale,tha se vonimi i kësaj ndihme ishte shkelje e ligjit amerikan./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA