Edhe klani Kardashian-Jenner kopjon ose të paktën këtë gjë pretendon një kompani e cila ka hedhur në gjyq motrat Kendall dhe Kylie Jenner.
Klauber Brothers, Inc. – një kompani 161-vjeçare, themeluar në Gjermani, që krijon dizenjo origjinale dantellash, të cilat përdoren për të brendshme dhe veshje të tjera – ngriti një padi kundër Kylie-t dhe Kendall-t, për shkak se kanë përdorur dy dizenjo të kompanisë që mbrohen nga e drejta e autorit.
Në padi, të paraqitur në një gjykatë në Kaliforni, thuhet se dantellat janë përdorur në një palë tanga të koleksionit të Kylie-t.
Po kështu pretendohet se dantellat u përdorën edhe në një këmishë nate nga koleksioni Kendall x Kylie.
Në dokumente, të siguruara nga TMZ, theksohet se dantellat janë të njëjta. “Dukshëm janë të njëjtët elementë, përbërja, kompozimi, paraqitja e formave.”
Kompania kërkon të gjitha fitimet nga shitjet e produkteve të motrave Jenner.
Nuk është hera e parë që Kendall dhe Kylie paditen për kopje. Në 2015-n, ato u paditën nga Island Company se vodhën frazën “Quit your job. Buy a ticket. Get a tan. Fall in love. Never return”. Në koleksionin e tyre PacSun, shkruhej “Run Away. Fall in love. Never return.”
Top Channel