Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, ka thënë se Departamenti i Shtetit do të hetojë nëse ish-ambasadorja amerikane në Ukrainë, Marie Yovanovitch, ishte në ndonjë rrezik gjatë qëndrimit në Ukrainë.
Pompeo e bëri deklaratën, vetëm disa ditë pasi u publikuan dokumentet që tregojnë se Yovanovitch, e cila u shkarkua në maj të vitit 2019, mund të ketë qenë nën vëzhgim.
Dokumentet treguan se Lev Parnas, një qytetar amerikan i lindur në Ukrainë, ndihmoi avokatin personal të presidentit amerikan Donald Trump, në përpjekjet e tij për të gjetur materiale inkriminuese kundër ish-nënpresidentit amerikan, Joe Biden dhe djalit të tij, Hunter Biden. Disa nga dokumentet sugjerojnë se Yovanovitch mund të ketë qenë nën kërcënim.
“Ne do të bëjmë gjithçka që duhet për të vlerësuar nëse ka ndodhur diçka”, tha sekretari amerikan, Mike Pompeo, gjatë një interviste në radio.
Pompeo tha se ai nuk e njihte dhe nuk e kishte takuar kurrë Parnasin. Ambasadorja Yovanovitch u shkarkua papritmas më 2019-të. Gjatë një dëshmie në Dhomën e Përfaqësuesve ajo tha se Departamenti i Shtetit i kishte thënë asaj se ishte në rrezik të papërcaktuar. Presidenti amerikan, Donald Trump tani po përballet me një gjykim për shkarkim në Senatin e SHBA-së, nën akuzat për abuzim me pushtetin dhe pengim të punës së Kongresit.
Ai akuzohet se ka pezulluar paligjshëm një ndihmë për Ukrainën në mënyrë që të ushtrojë presion ndaj Kijevit për të hetuar rivalin e tij politik, Joe Biden./REL
Top Channel