Në fillim të vitit në Gjermani hyri në fuqi direktiva e rishqyrtuar kundër parave ilegale.
Megjithatë në shumë hallka puna çalon, thotë DW. Në nivelin ligjor dhe në sektorin e përmbarimit duhet bërë më shumë. Ndaj Ministria e Financave do të angazhohet në nivelin e BE-së, që të vendosen rregulla të njësuara për luftën kundër pastrimit të parasë. Direktiva për luftën ndaj parave ilegale parashikon ndër të tjera një bashkëpunim më të ngushtë me autoritetet në Gjermani në mënyrë që përndjekja penale të jetë më efikase. Ministria e Financave mendon se ka „nevojë për përmirësime”.
Njësia kundër pastrimit të parave Financial Intelligence Unit duhet të ketë një akses më të mirë ndaj të dhënave të autoriteteve të tjera hetimore. Një nga masat është që gjatë blerjes së floririt me para në dorë, do të pakësohen kriteret që e kufizojnë identifikimin e blerësit. Shumë rreptësisht do të kontrollohet sektori i pasurive të patundshme. Është planifikuar po kështu që në kuadër të një udhëzimi ligjor, I cili do të hyjë në fuqi në gjysmën e parë të vitit, noterët në të ardhmen do të duhet të denoncojnë transaksionet e dyshimta financiare. Transaksionet me shuma të mëdha, kujton DW, vazhdimisht realizohen me para në dorë, e megjithatë noterët pothuajse nuk i denoncojnë kontratat e dyshimta.
Top Channel