Të dhënat zyrtare thonë se ekonomia u rrit vetëm 6,1 për qind në vitin 2019
Sipas të dhënave zyrtare të publikuara sot, ekonomia e Kinës ka shënuar rritje prej 6,1 për qind në vitin 2019, duke regjistruar rritjen më të ulët në 29 vitet e fundit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Byroja Kombëtare e Statistikave të Kinës ka publikuar të dhënat për vitin e kaluar ku thuhet se objektivi vjetor i qeverisë ishte 6 deri në 6,5 për qind, njoftoi agjencia e lajmeve Xinhua.
Të dhënat tregojnë se vendi është përballur me ngadalësim në krahasim me vitin 2018 kur regjistroi një rritje prej 6,8 për qind.
Të dhënat e reja u publikuan dy ditë pasi Kina nënshkroi marrëveshje tregtare me SHBA-të pas një lufte tregtare mbi tarifat që zgjati disa muaj.
Kjo është shkalla më e ulët e rritjes që nga viti 1990, kur në Kinë u shënuan trazira politike që çuan në ulje të rritjes ekonomike në 3,9 për qind.
Byroja tha se Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) i Kinës vitin e kaluar arriti në 99,09 trilionë juanë (14,38 trilionë dollarë). Sektori i shërbimeve të vendit përbënte më shumë se gjysmën e PBB-së së përgjithshme.
Sipas të dhënave, shitja me pakicë e mallrave të konsumit është rritur me 8 për qind në vitin 2019.
Të dhënat gjithashtu zbulojnë se deri në fund të vitit 2019, popullsia e Kinës ka tejkaluar 1,4 miliardë banorë.
Top Channel