Një tjetër organizatë kriminale është ndaluar nga Policia italianë në bashkëpunim me atë shqiptare.

Operacioni “BROKERS” me shtrirje kohore prej 4 vitesh është finalizuar ditën e sotme. Si rezultat i këtij operacioni u godit një organizatë kriminale italo-shqiptare që merrej me trafikun ndërkombëtar të drogës dhe armëve, në zonën e qyteteve të Andrias dhe Cerignolas.

Si rezultat i këtij operacioni u arrestua në qytetin e Shkodrës shtetasi L. D., 50 vjeç.

Operacioni në Shqipëri u zhvillua në bashkëpunim me Departamentin e Policisë Kriminale, ndërsa në Itali u drejtua nga Skuadra Operacionale e Seksionit kundër Drogës, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë së qytetit të Tranit.
Hetimet për këtë operacion kishin filluar pas vrasjes së shtetasit italian F. F., në qytetin Trani, në janar të vitit 2015.

Personi që kontrollonte dhe organizonte trafikun e drogës nga Holanda, Gjermania dhe Shqipëria ishte një shtetas shqiptar, i cili nëpërmjet njohjeve të tij i siguronte organizatës kokainë, heroinë dhe hashash. Sasia e drogës vinte me anë të korrierëve që zakonisht e fshihnin në ndarjet e dyfishta në makina.

Kjo organizatë e kishte qendrën në qytetin e Foggias. U arrit që të arrestoheshin 20 persona dhe të sekuestroheshin 440 kg droga të ndryshme si kokainë, heroinë dhe hashash, si dhe disa armë zjarri.

Top Channel