Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara, Nancy Pelsosi, emëroi të mërkurën shtatë ligjvënës demokratë – që të gjithë me prejardhje nga fusha e ligjit – për të shërbyer si të ashtuquajtur menaxherë gjatë gjykimit të presidentit Donald Trump në Senat.
Menaxherët do të udhëheqen nga Adam Schiff, kryetar i Komitetit të Inteligjencës në Dhomën e Përfaqësuesve, dhe ata do të veprojnë si prokurorë. Dhoma do të votojë më vonë për të dërguar akuzat formale kundër Trumpit në Senat. Trump akuzohet për shpërdorim të detyrës dhe pengim të punës së Kongresit.
Dhoma e Përfaqësuesve i ka ngritur akuzat formale kundër tij në muajin dhjetor. Nëse gjatë gjykimit në Senat shpallet fajtor – gjë që thuhet se ka pak gjasa pasi ky institucion kontrollohet nga republikanët – Trump do të shkarkohej nga detyra. Trump, republikan, këmbëngul se nuk ka bërë asgjë të keqe dhe hetimet kundër tij i quan “gjueti shtrigash”.
Trump akuzohet se i ka bërë presion Ukrainës për të zbuluar informacione të dëmshme për Joe Bidenin, i cili mund të jetë rival i tij në zgjedhjet e nëntorit. Në këmbim të favoreve nga Ukraina, Trump akuzohet se ka mbajtur dy gjëra pezull: ndihmën ushtarake për Ukrainën, në vlerë prej 400 milionë dollarësh, dhe një takim në Shtëpinë e Bardhë me presidentin ukrainas.
Me këto veprime, sipas demokratëve, Trump ka abuzuar me pushtetin, pasi ka përdorur zyrën e presidentit për përfitime politike personale dhe në dëm të sigurisë kombëtare. Trump akuzohet edhe për pengim të punës së Kongresit, pasi ka refuzuar të bashkëpunojë në hetime./REL
Top Channel