Kryeministrat e Grupit të Vishegradit – Poloni, Hungari, Çeki dhe Sllovaki – mbajtën sot një qëndrim të përbashkët për të përfshirë vendet kandidate në konferencën “E ardhmja e Evropës”.
Qëndrimi i Vishegradit u bë i ditur gjatë takimit të zhvilluar në Pragë me Sebastian Kurz, kancelar i Austrisë.
Më parë ishte Parlamenti Evropian që miratoi një rezolutë për përfshirjen në këtë konferencë të vendeve që janë kandidate për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.
Konferenca për të ardhmen e Evropës u propozua në dhjetor të 2019-ës, ndërkohë që Presidencës Kroate i është kërkuar të punojë mbi përmbajtjen, qëllimin, përbërjen dhe funksionimin e saj. Pjesë e konferencës do të jenë Parlamenti, Komisioni dhe Këshilli Evropian, si dhe do të kërkohet përfshirja e qytetarëve.
Konferenca do të nisë në 2020 dhe do të përfundojë në 2022.
Gjatë kësaj kohe do të diskutohen të gjitha ligjet dhe rregullat e BE-së dhe në fund pritet të dilet me një traktat të ri.
Rezoluta e PE-së dhe qëndrimi i Vishegradit është një sinjal pozitiv për Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Serbinë për t’u përfshirë, si vende kandidate, në diskutimet për të ardhmen e Bashkimit Evropian.
Kosova dhe Bosnje-Hercegovina nuk janë ende vende kandidate, ndonëse njihen si vende “potencialisht kandidate” për t’u anëtarësuar në BE.
Top Channel