Duma Shtetërore, që është Dhoma e Ulët e Parlamentit të Rusisë, e miratoi me shumicë votash të emëruarin e presidentit Vladimir Putin për kryeministër, Mikhail Mishustin.
Në favor të Mishustinit votuan 383 ligjvënës, ndërsa 41 abstenuan.
Të mërkurën, Putin e propozoi Mishustinin, ish-shef i Shërbimit Federal të Taksave, për kryeminitsër, pasi Qeveria e Dmitry Medvedevit dha dorëheqje.
Medvedev tha se dorëheqja pason thirrjet e Putinit për ndryshime të mëdha kushtetuese.
“Në këtë kontekst, ne, si Qeveri e Federatës Ruse, duhet t’ia sigurojmë presidentit të vendit tonë mundësinë për të ndërmarrë të gjitha vendimet e nevojshme. Në kushtet e tilla, mendoj se Qeveria e Federatës Ruse ka bërë hapin e duhur me dorëheqje”, tha Medvedev, teksa njoftoi për dorëheqjen.
Gjatë fjalimit të së mërkurës drejtuar kombit, Putin foli për ndryshime kushtetuese që do t’i rrisnin kompetencat e parlamentit, përpara përfundimit të mandatit të tij, më 2024.
Shumë vëzhgues dyshojnë se Putin po përpiqet të përgatisë terrenin për të vazhduar sundimin e tij në një kapacitet të ri.
Putin, 67 vjeç, ka dominuar politikën ruse për dy dekada, duke shërbyer herë si president, herë si kryeministër nga viti 1999.
Në vitin 2018, ai është rizgjedhur president për një mandat të ri 6-vjeçar.
Me ligjin aktual, ai do të duhet të tërhiqet pas përfundimit të mandatit.
Top Channel