Kryetari i Këshillit të Lartë Shtetëror të Libisë, Khalid al-Mishri, konfirmoi të mërkurën se Ambasada e Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA) në Moskë kontribuoi fuqimisht për të penguar armëpushimin në Libi.
Gjatë një konference shtypi në kryeqytetin Tripoli të Libisë, Al-Mishri vlerësoi bisedimet në Moskë për armëpushim ndërmjet Qeverisë së Pajtimit Kombëtar (GNA) të njohur ndërkombëtarisht dhe komandantit të vetëshpallur Khalifa Haftar, i cili udhëheq forcat e armatosura ilegale në lindje të vendit.
“Në negociatat për armëpushimin që u mbajtën në Moskë, pala e Haftarit kishte të pranishëm edhe përfaqësues nga vendet e Gjirit, përfshi këtu të ngarkuarin me punë të Ambasadës së EBA-së në Rusi, i cili ishte një nga pengesat për nënshkrimin e marrëveshjes së armëpushimit në Libi”, tha Al-Mishri.
“Propozimi rus për armëpushim ishte hartuar në mënyrë që të kënaqte palën agresore”, shtoi ai duke iu referuar forcave të Haftarit.
Moska priti të hënën e 13 janarit negociatat ndërmjet delegacioneve të Turqisë, Rusisë dhe palëve në Libi.
Delegacioni turk, Kryeministri i GNA-së, Fayez al-Sarraj dhe Kryetari i Këshillit të Lartë Shtetëror të Libisë, Khalid al-Mishri, hartuan së bashku tekstin e marrëveshjes.
Ndërsa delegacioni rus bëri përpjekje për të bindur Khalifa Haftarin dhe Presidentin e Dhomës së Përfaqësuesve me seli në Tobruk, Aguila Saleh Issa.
Por Haftari u largua nga Moska mëngjesin e së martës (14 janar) pa firmosur tekstin e marrëveshjes së akorduar një ditë më parë si rezultat i negociatave shumë intensive.
Top Channel