“Zgjedhorja”/ Formohet “Këshilli Politik”, Gjiknuri: Të gatshëm për rekomandimet e opozitës

14/01/2020 14:32

Është zbardhur kuadri i bashkëpunimit midis opozitës dhe mazhorancës për reformën zgjedhore. Palët kanë rënë dakord të formojnë “Këshillin Politik”, ku të pranishëm do të jenë edhe përfaqësuesit e opozitës parlamentare.

Në përfundim të takimit të parë, Damian Gjiknuri i Partisë Socialiste tha se “kemi një marrëveshje mes palëve politike” dhe se “do përpiqemi të punojmë me konsensus, do kërkojmë dhe asistencën e OSBE-së”.

“Mazhoranca është e gatshme të dëgjojë rekomandimet e opozitës”, theksoi Gjiknuri.

Ndërsa Rudina Hajdari, përfaqësuese e opozitës parlamentare, tha se “prezenca e PD dhe LSI provon që rruga e drejtë është ajo institucionale”.

“Vullneti i opozitës në Parlament do vijojë punën për ndryshimin e sistemit zgjedhor. PD dhe LSI pranuan që rruga e zgjidhjes janë planet dhe idetë, jo protestat”, tha ndër të tjera Hajdari.

Në marrëveshjen mes palëve është rënë dakord që të merret asistenca e OSBE-së për çështjet ku ka pozicione të ndryshme. Aty është parashikuar gjithashtu që mazhoranca të mos bëjë asnjë ndryshim në Komisionin Parlamentar për Reformën Zgjedhore dhe as gjatë miratimit në Kuvend të reformës që do të dakordësohet në Këshillin Politik.

Fjala për media e bashkëkryetarit të Komisionit të Reformës Zgjedhore, Damian Gjiknuri:

Pyetje: Z. Gjiknuri, çdo të thotë ky nivel i ri takimi?

Përgjigje: Kemi një marrëveshje mes palëve politike, që opozita jashtë parlamentare të përfshihet në diskutimet me Komisionin e Reformës Zgjedhore me qëllim arritjen e një produkti të dakordësuar.

Ju e keni parë, që edhe nga minutat për të cilat kemi rënë dakord, që është edhe kuadri i përgjithshëm i kësaj marrëveshje, ne do të përpiqemi të punojmë me konsensus.

Ne do i kërkojmë ekspertëve të OSBE/ODIHR që të vijnë në Tiranë me qëllim që të adresojnë çështje për të cilat palët mund të ndahen.

Me pak fjalë, ajo çfarë kemi nisur në Komisionin e Reformës Zgjedhore dhe ajo çfarë kemi thënë me kohë që jemi të gatshëm që të gjejmë çdo lloj mënyre komunikimi me opozitën, e materializuam sot.

Pyetje: Për çfarë çështjesh?

Përgjigje: Çështje që kanë të bëjnë me administrimin e zgjedhjeve, rekomandimet e ODIHR-it dhe çështje që janë objekt i punës së Komisionit të Reformën Zgjedhore. Sistemi Zgjedhor është objekt i punës së Reformës Zgjedhore, pra nuk e kemi përjashtuar. Çështja e sistemit kërkon një dakordësi, por nuk lidhet me rekomandimet e OSBE/ODIHR.

Për problemet e sistemit zgjedhor nuk ka asnjë rekomandim ndërkombëtar dhe asnjë nuk mund ti japë mend Shqipërisë se çfarë sistemi i duhet. Çështjet për të cilat ne do të kërkojmë asistencë, rekomandime dhe ekspertizë, do të jenë çështje që kanë të bëjnë me administrimin e zgjedhjeve.

Pyetje: Z.Gjiknuri, Komisioni i Reformës Zgjedhore nuk funksionon më?

Përgjigje: Komisioni i Reformës Zgjedhore funksionon, sepse të gjitha diskutimet do të bëhen në Komisionin e Reformës Zgjedhore me përfaqësuesit e opozitës.

Çdo draft miratohet në Komisionin e Reformës Zgjedhore. Ju e dini që në vendimin e Kuvendit ka një klauzolë ku opozita ka një vend, por që për arsye politike nuk e ka shfrytëzuar.

Gjetëm një modalitet që opozita të jetë pjesë e punës së Komisionit të Reformës Zgjedhore. Ky është një vullnet i mirë për të gjetur një formë dialogu me opozitën duke ruajtur kuadrin ligjor, kushtetues dhe parlamentar.

Unë jam këtu për të dhënë përgjigje për çështjet e Reformës Zgjedhore dhe ai dokument përmend Reformën Zgjedhore. Nëse do të ketë çështje të tjera kjo mbetet për t’u parë.

Pyetje: A është kjo një lëvizje për të rikthyer në Parlament Partinë Demokratike dhe aleatët e saj?

Përgjigje: Unë nuk e di se si mund të kthehet opozita sërish në Parlament. Këto janë çështje që nuk i përkasin kësaj teme. Opozita e ka marrë vendimin e saj. Mazhoranca është e gatshme të punojë, të dëgjojë propozimet e opozitës për Reformën Zgjedhore dhe nëse ato janë në përputhje me propozimet e ODIHR-it, ne do ti pranojmë.

Faleminderit!

FOTO GALERI
2/12

Top Channel