Vdes në burg, askush nuk e ç’regjistron nga regjistri i gjendjes civile,ndërkohë që institucionet luajnë ping pong me familjarët e tij.
Edhe pse kanë kaluar mbi tre muaj që nga dita e ndarjes nga jeta e të dënuarit Daver Këraj, i cili vuante dënimin në burgun e Fierit, ai ende figuron i gjallë në regjistrin e gjendjes civile, pasi Prokuroria e Fierit nuk firmos vërtetimin e vdekjes, por ia kalon përgjegjësinë prokurorisë së kryeqytetit.
I afërmi i të dënuarit të ndarë nga jeta në 8 tetor 2019, Hasan Këraj u ankua në Fiks Fare se nuk mund të çregjistronte nga gjendja civile nipin që i ka humbur jetën në spitalin e burgut në Tiranë. Ai ishte dënuar me 3 vite e 3 muaj heqje lirie të cilën këtë dënim po e kryente pranë I.E.V.P Fier , por për shkaqe natyrore siç shprehet ky institucion ka ndërruar jetë në spitalin e burgut në Tiranë.
Që nga tetori i vitit të kaluar familjarët e të dënuarit të ndarë nga jeta dhe deri më sot sorollaten nëpër institucione për të çregjsitruar nga regjistri i gjendjes civile të afërmin e tyre.
Hasan Këraj, tregon se ka shkuar disa herë në gjendjen civile të Lunxhërisë ku edhe i ndjeri ka qenë i regjistruar, aty i thonë se i mungon firma e prokurorit në vërtetimin e vdekjes.
Neni 55 i ligjit për gjendjen civile e thotë qartë që “vërtetimi i vdekjes të personave që humbin jetën në vendet e vuajtjes së dënimeve me burgim, është i vlefshëm vetëm kur lëshohet nga eksperti mjeko- ligjor dhe nënshkruhet nga prokurori”. Por familjarët e zotit Këraj për këtë të fundit sorrollaten nëpër institucione.
Ndërkohë burgu i Fierit ka lëshuar skedën e vdekjes dhe ka njoftuar zyrën e gjendjes civile të Gjirokastrës dhe prokurorinë për ndarjen nga jeta të të dënuarit Daver Këraj.
Pas këtyre sorollatjeve Hasan Këraj i drejtohet prokurorisë së Fierit për të tretën herë. Edhe në këtë rast njësoj si herët e tjera atë e përcjellin nga prokuroria me preteksin se personi për të cilin kërkohet vërtetim nuk ka çështje të hapur në këtë prokurori. Pra asnjë prokuror nuk ka një çështje me emrin e të ndjerit ndaj nuk ka se kush ta lëshojë këtë vërtetim për familjen Këraj.
Fiks Fare kërkoi informacion në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në Fier për këtë rast. Në përgjigjen e saj Prokuroria e Fierit thotë se familjarët nuk kanë paraqitur asnjëherë pranë këtij institucioni kërkesë për marrje informacioni. Ndërkohë që Fiks Fare tregoi me fakte se qytetari ka kërkuar disa herë në Prokurorinë e Fierit informacion për arsyen e moslëshimit të vërtetimit për të burgosurin që humbi jetën gjatë kohës së vuajtejs së dënimit dhe punonjësit e këtij institucioni refuzonin t’i jepnin informacion.
Gjithashtu, në përgjigjen e saj Prokuroria e Fierit e kaloi te Prokuroria e Tiranës përgjegjësinë për dhënien e informacionit dhe lëshimit të vërtetimit të vdekjes së të dënuarit, pasi ai ka ndërruar jetë në Qendrën Spitalore të Tiranës.Fiks Fare iu drejtua më një kërkesë për informacion edhe Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Tiranës, por derisa të kthejë përgjigje kjo prokurori i dënuari edhe pse ka ndërruar jetë tre muaj më parë, ende figuron i regjistruar në gjendjen civile dhe familjarët e tij tashmë për këtë burokraci të institucioneve duhet t’i drejtohen gjykatës.
Ndërkohë neni 54 i ligjit për gjendjen civile përcakton afatin e deklarimit të vdekjes, i cili bëhet brenda 10 ditëve nga ndodhja . Madje ky nen ngarkon Shërbimin e Gjendjes Civile, i cili kur ka të dhëna se persona të vdekur vazhdojnë të qëndrojnë të regjistruar në regjistrin themeltar dhe në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile, të ngrenë padi në gjykatë për të vërtetuar vdekjen.Por edhe ky veprim nuk është bërë.
Top Channel