Për të dytin vit radhazi Gjirokastra bëhet pjesë e censusit ndërkombëtar të shpendëve.

Rreth 104 shpendë u numëruan përreth rezervuarit të Bulos në luginën e Drinos, mes tyre shapka e përhimtë, shapka e madhe e bardhë, disa lloje kredhësish, rosat kokëkuqe dhe shumë lloje të tjera.

Surpriza e ekipeve të numërimit ishte prania në luginë e skifterit të vogël (Falco Columbarius) një shpend që dimëron kryesisht në veri të Europës. Lugina është strehë për shumë lloje të rralla shpendësh shtegtarë pjesë e librit të kuq të specieve por edhe shumë llojeve që kalojnë dimrin këtu.

Shpendët që dimërojnë në luginë kanë njohur rritje të popullatës gjatë 3 viteve të fundit megjithatë dëmtimet e habitatit natyror prej ndotjes, prerjes së pemëve, zjarreve ka shkaktuar shumë dëme.
Gjirokastra është mes qarqeve me shumllojshmëri të lartë speciesh. Lugina është fjetorja më e madhe në Europë e skifterit kthetra-verdhë si dhe strehon gjatë verës kalin e qyqes ose shqiponjën e bardhë një prej shpendëve më të rrezikuar me zhdukje në nivel global.

Pak muaj më parë me kërkesë të Agjensisë së Zonave të Mbrojtura një numër plepash shumëvjeçarë u shpallën monumente natyre të mbrojtura përgjatë luginës së Drinos. Ata janë streha ku qindra skifterë grumbullohen në fillim të vjeshtës për tu fuqizuar para shtegtimit.

Top Channel