Përpunimi i mallrave tranzit me destinacion Kosovën gjatë vitit 2019 është rritur me 110,6 % krahasuar me vitin paraardhës, sipas të dhënave statistikore të Autoritetit Portual Durrës.

Gjatë vitit që lamë pas, në kalatat e portit më të madh të vendit janë përpunuar 31 anije me afro 106 mijë ton mallra, të cilat janë nisur më pas drejt Kosovës. Ndërkaq, gjatë vitit 2018 në portin e Durrësit janë përpunuar vetëm 14 anije me 50 mijë ton mallra import-eksporti tranzit për Kosovën.

Nga statistikat portuale, mësohet gjithashtu se nga Durrësi drejt Kosovës janë nisur mallra të ndryshme, kryesisht materiale ndërtimi, ku vendin kryesor e mbajnë llamarina me 36,803 ton, ndjekur nga hekuri në sasinë 32,162 ton dhe 13,380 ton xhama.

Në portin e Durrësit janë përpunuar edhe mallra të tjerë si grurë, çimento, melaminë apo plehra kimikë, me destinacion Kosovën.

Top Channel