“Kemi përpara shumë sfida dhe 2020 është vit kyç për të vënë në jetë ofensivën ndaj krimit të organizuar. Me përparimin e reformës në drejtësi po bëhet pastrim i madh, por koha e nevojshme për të mbaruar këtë pastrim dhe për të vënë në funksion institucionet e reja nuk është shumë e shkurtër. Në ditët në vijim do ta kthejmë në bazë ligjorë për të marrë ofensivën më shembullore ndaj krimit të organizuar duke marrë një aksion si asnjëherë tjetër”, kështu tha kryeministri Edi Rama gjatë ceremonisë për finalizimin e projektit të repartit bashkëkohor për RENEA.
Rama dha paralajmërimin e radhës për atë që e ka cilësuar organizatën kriminale më të rrezikshme, “KÇK”.
“Po kolaudojmë paketën ligjore me SHBA dhe BE dhe në vijim do ta kthejnë në një bazë ligjore për të ndërmarrë ofensivën më shembullore ndaj krimit të organizuar duke zhvilluar një aktivitet agresiv në terren të policisë së shtetit ndaj të gjithë atyre që janë dënuar, akuzuar por i kanë shpëtuar dënimit si rezultat i KÇK dhe ka ardhur koha të provojnë se pasuria e tyre nuk buron nga krimi ose përndryshe të dorëzojnë pasurinë, dhe paralelisht do vëmë me shpatulla pas murit të çdo anëtari të KÇK në prokuroria e gjykatë që do marrë vendime në kundërshtim me ligjin”, tha Rama.
Kryeministri tha më tej se: “Policia e shtetit po kryen një proces pastrimi, qërrimi nga radhët e veta të atyre që nuk janë të denjë për të , përmes vettingut. Në fund dua të them që nëse me RENEA ndihemi kryelartë sepse shlyem një borxh, jemi në borxh me kohën dhe me policinë e shtetit deri kur të kemi në dispozicion të studentëve një akademi sigurie me të njëjtat standarde si këtu po ashtu edhe laborator shkencor për policinë e shtetit si dhe repart për FNSH dhe për të gjitha këto puna fillon sot.
Armiku më i madh i policisë është vetmia, që lind nga mungesa e vëmendjes për ta dëgjuar e mbështetur dhe më vjen mirë që me qeverinë time ky armik është asgjësuar, kemi bërë gjithçka kemi mundur për ta, s’kemi arritur të gjitha, por sot policia është shumë herë më mirë se dje.
Dhe gjithçka që mundemi do vazhdojmë ta bëjmë për policinë e shtetit, që për herë të parë në historinë e 30 viteve nuk janë në trysninë e urdhrave nga lart, që nuk janë tradhtuar në operacionet e tyre”.
Top Channel