Teuta e Martinit ruan vazhdimësinë, miqësoret konfirmojnë afrimet

12/01/2020 15:40

Në fundin e vitit të kaluar, me Martinin në stol, Teuta e mbylli vitin me dy fitore, duke mposhtur Partizanin dhe Flamurtarin, por dhe në fazën përgatitore, për pjesën e dytë të sezonit, sërish skuadra ka treguar qëndrueshmëri dhe mbi të gjitha ka konfirmuar emra të rëndësishëm ashtu si po spikatin dhe emra të afruar rishtazi, siç është Culibali, që ndaj kavajasve shënoi dhe golin e parë për durrsakët.

Në dy ndeshjet testuese të këtij fillimviti, Teuta ka shfaqur të njëjtën formë që mbylli vitin e kaluar, duke marrë dy fitore, duke shënuar 5 gola dhe duke mos pësuar asnjë. Statistika, por dhe një lojë, që flasin se trajneri Martini, dhe pse në pak kohë, i ka dhënë ekipit atë që kishte nevojë, duke trashëguar më të mirën e trajnerit Shkëmbi e duke u përpjekur të çojë përpara një projekt të rëndësishëm te durrsakët.

Për më tepër dhe Lorenco Vila, që në fundin e vitit të kaluar u shfaq vendimtar, po tregon gjithnjë e më tepër afrimitet me portën. Sigurisht që miqësoret jo gjithmonë janë treguesi i problemeve të një ekipi, aq më tepër që ato te Teutës kanë qenë me ekipe të dorës së dytë, por më shumë bind loja dhe vazhdimësia në ritëm, që me Martinin kanë funksionuar më së miri, duke projektuar një Teutë serioze për pjesën e dytë të kampionatit, për të çuar ekipin drejt objektivave të vendosur.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA