Falë shkëmbimit të vazhdueshëm të informacioneve mes Interpol Tirana dhe homologëve, bie në prangat e Policisë dhe arrestohet në Francë, një i kërkuar për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve.
Zyra e ZQK Interpol Tirana, me zyrën homologe të Interpol Paris, Francë kanë shkëmbyer informacione me vlerë mbi vendndodhjen e një shtetasi shqiptar, i shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe që fshihej në Francë.
Si rezultat u bë i mundur arrestimi i shtetasit Tom Kaçi, 50 vjeç, banues në Bulshar, Mirditë. Ky shtetas ka qenë person me precedent të mëparshëm penal.
Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Apelit Shkodër e ka dënuar me 5 vite burgim, për vepër penale në fushën e narkotikëve.
Shtetasi Tom Kaçi, në bashkëpunim me një shtetas tjetër, në zona të thella malore të rrethit Mirditë kultivonte lëndë narkotike të llojit cannabis sativa dhe më pas ata kryenin transportimin e saj me mjete, në drejtim të zonave urbane të Mirditës.
Në kuadër të procedimit penal të regjistruar që në vitin 2013, u bë i mundur dokumentimi me prova ligjore i aktivitetit të paligjshëm në fushën e kultivimit dhe trafikimit të narkotikëve.
Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Paris, Francë, u bë i mundur arrestimi i tij në Francë dhe do të vijojnë procedurat e mëtejshme për ekstradimin e tij drejt vendit tonë.
Top Channel