Roma dhe Juventusi mbyllin fazën e tyre të parë me një duel të drejtpërdrejtë, që do të luhet në mbrëmje, në kryeqytet. Dy skuadrat ndahen nga plot 10 pikë në klasifikimin e përgjithshëm të Serisë A, sidoqoftë, pavarësisht diferencës në tabelën e renditjes, një përballje e tillë konsiderohet një klasike e futbollit italian dhe në mënyrë të kuptueshme tërheq përherë një vëmendje të veçantë në Apenine. Mbi të gjitha, një sfidë shumë e rëndësishme edhe për vetë objektivat e ndryshme që kanë të dy ekipet, pasi bardhezinjtë synojnë trofeun e nëntë rresht në kampionatin italian, ndërsa verdhekuqtë kanë për objektiv rikthimin në zonën Champions.

Sezonin e kaluar, dy skuadrat u ndanë në renditjen përfundimtare nga plot 24 pikë, por, nëse “Zonja e Vjetër” mbrojti me sukses titullin, futbollistët e Romës mbetën krejtësisht jashtë Zonës Champions, duke u pozicionuar në vendin e gjashtë. I vetmi rast në gjashtë edicionet e fundit të Serisë A kur “verdhekuqtë” dështuan në këtë objektiv, duke mos hyrë dot mes katër skuadrave më të mira të Italisë.

Gjatë kësaj periudhe Roma e ka mbyllur kampionatin 3 herë në 6 kampionatet e fundit menjëherë prapa rekordmenëve të futbollit italian, gjithsesi, ndryshe nga ç’tregon renditja aktuale, diferencat ndërmjet këtyre dy klubeve në vend që të ngushtohen duket sikur janë hapur akoma më shumë. Diferenca në shkallët e sipërme tregon qartë edhe ndarjen aktuale të skuadrave, megjithëse, për hir të së vërtetës, kampionati është i gjatë dhe në Serinë A mbetet për t’u zhvilluara akoma edhe faza e dytë.

Kampionët në fuqi duket sikur i kanë hedhur pas krahëve dështimet me Lazion, si në kampionat ashtu edhe në Superkupë, madje ndaj Cagliarit bardhezinjtë, më në fund, u rikthyen për herë të parë pas shumë kohësh për të mbyllur një ndeshje pa pësuar. Në krahun tjetër, Roma luan ndeshjen e dytë radhazi në “Qytetin e Përjetshëm”, por javën e kaluar, në sfidën e fundit, ndonëse dominoi për pjesën më të madhe të kohës, nuk ia doli mbanë për të gjetur dot as rrjetën e për pasojë, me disfatën 2-0 me Torinon, verdhekuqtë u kthyen për herë të parë pas plot dy muajve te humbja.

Kurioz është fakti se që të dy ekipet i ndryshuan trajnerët që përpara se të fillonte ky sezon, për më tepër, si Paulo Fonseca ashtu edhe Maurizio Sarri u emëruan në skuadrat respektive në mesin e muajit qershor, në harkun e vetëm gjashtë ditëve. Trajneri portugez nuk do të ketë në dispozicion lojtarë si Zappacosta, Pastore, Cristante, Santon, Kluivert apo dhe Mkhitaryan, ndërsa 61-vjeçari toskan nuk do të mund të mbështetet te dyshja Chiellini – Khedira, që mungon prej kohësh, as te mesfushori uruguajan, Rodrigo Bentancur, që është i skualifikuar.

Ndonëse edicionin e kaluar Roma dështoi për të shkuar në Champions, përsëri verdhekuqtë u konfirmuan në fund si skuadra e tretë më e mirë e kampionatit italian, në sfidat në shtëpi, për më tepër brenda Roma nuk njeh humbje në pesë përballjet e fundit ndërmjet tyre në Serinë A (3 fitore e 2 barazime), madje në dy vizitat e fundit në kampionat bardhezinjtë nuk kanë arritur të gjejnë dot as rrjetën. Kryendeshja e javës së fundit të fazës së parë do të luhet në “Olimpico”, në orën 20:45, dhe do të drejtohet nga 38-vjeçari napolitan, Marco Guida.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA