Kostandinos Vallsis zv.ministri i Jashtëm grek që mbulon çështjet e diasporës tha nga Derviçani se qeveria greke porosit lënien mënjanë të mikropolitikës dhe fokusimin tek problemet e vërteta të minoritetit.
Ai bëri thirrje për mospërsëritjen e gabimeve në regjistrimin e popullsisë dhe kërkoi pjesëmarrje masive në censusin e vitit 2020. Çështje tjetër madhore sipas tij është konfirmimi i pronave të minoritarëve dhe shuarja e konflikteve brenda përfaqësuesve të minoritetit.
“Duhet lënë mënjanë mikropolitika, por duhet të mëshohet tek ato arsye që prodhojnë bashkim dhe zgjidhje. Përfaqësuesit e minoritetit të mos vazhdojnë gabimet e konflikteve mes tyre, por të bashkohen për interesat e minoritetit dhe të mundësojnë regjistrimin e pronave të grekëve sidomos në Himarë.
Ju kërkoj të mos përsërisim gabimet e së shkuarës, por të kemi prani dhe regjistrim korrekt të minoritetit grek gjatë censusit të vitit 2020.
Transparenca e qeverisë shqiptare në këtë proces do të përcaktojë edhe respektimin ose jo të të drejtave të minoriteteve, ndërsa prania e minoritarëve do të korrigjojë gabimet historike të kryera në dëm të komunitetit grek gjatë censusit të vitit 2011”, tha Kostandinos Vllasis.
Ndërkohë kreu i PBDNJ Vangjel Dule i mëshoi çështjes së pronave dhe mungesës afatgjatë të vullnetit për ta zgjidhur këtë çështje.
Pjesë e takimit të përvitshëm të OMONIA-s ishin shumë deputetë grekë të pozitës dhe opozitës si dhe autoritetet më të larta diplomatike të Greqisë në Shqipëri.
Top Channel