Zjarri në Spitalin e Durrësit/ U përfshinë nga flakët 4 kabina elektrike, 5 pacientë dërgohen te Trauma

11/01/2020 11:29

Mbi ngjarjen e ndodhur në mesnatë, ku në repartin e Ortopedisë në spitalin e Durrësit ra zjarr, i cili përfshiu kabinat elektrike të pavijonit ka reaguar vetë policia.

Bëhet me dijeni se shërbimet e Policisë, zjarrfikësit dhe personeli kanë bërë të mundur evakuimin e të gjithë pacientëve nga të katër katet e pavijonit duke i transferuar në një pavijon tjetër.

Si pasojë e zjarrit kanë patur probleme me asfiksinë 5 pacientë, të cilët janë dërguar në spitalin e Traumës në Tiranë, për mjekim të specializuar dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Nga veprimet e para hetimore rezulton se shkaku i zjarrit ka ardhur si pasojë e përfshirjes nga zjarri të katër kabinave elektrike të katër kateve, ku zjarri fillimisht ka nisur në katin e parë dhe ka vazhduar deri në katin e katërt.

Grupi hetimor, nën drejtimin e prokurorisë po vijon punën për zbardhjen e plotë të shkakut të përfshirjes së kabinave elektrike nga zjarri.

Top Channel