Burri që pengoi terroristin Usman Khan gjatë sulmit me thikë në Urën e Londrës e ka akuzuar presidentin amerikan, Donald Trump, se po e ushqen terrorin përmes politikave të tij armiqësore në Lindjen e Mesme, duke paralajmëruar se këto politika do të nxisin edhe më shumë sulme vdekjeprurëse.
Në intervistën e tij të parë që nga vrasja e dy personave dhe plagosja e disa të tjerëve gjatë një konference më 29 nëntor, Darryn Frost tha se vendimi i presidentit Trump për ta vrarë gjeneralin iranian, Qassem Suleimani, do të kushtojë jetë njerëzish.
“Gjenerata e ardhshme e terroristëve do të krijohet si rezultat i drejtpërdrejtë i këtyre veprimeve dhe ne duhet t’i dënojmë ato tani”, tha ai.
“Vdekjet e tyre ma kanë krijuar një shtytje brenda vetes për t’i sfiduar urrejtjen dhe mungesën e tolerancës. Ato që e ushqejnë terrorin janë veprimet si kjo, ku njerëzit në pushtet veprojnë si gjykatës dhe zbatues përtej kufijve dhe sistemeve juridike”, shtoi ai.
“Kush është Trump-i që të ketë kësi ndikimi në të gjitha jetët tona”, tha më tej Frost.
Ai thotë se ndihet në depresion, por se është krenar për veprën e vet, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.
Top Channel