E shtuna e futbollit në Supersport nuk është vetëm Premier League, pasi edhe në Serie A dhe Ligue 1 luhen takime të rëndësishme sidomos në Itali. Dueli më i rëndësishëm është ai i mbrëmjes në Serie A mes dy skuadrave zikaltër Interit dhe Atalantës.
Në San Siro do të zbresin dy nga ekipet më në formë të kampionatit por edhe sulmi më i mirë që është Atalanta me 48 gola dhe mbrojtja më e mirë që është Interi i Contes me 15 gola të pësuar. Atalanta gjithmonë i ka hapur punë Interit edhe pse në San Siro në 5 sfidat e fundit ka regjistruar 4 humbje dhe 1 barazim atë të vitit të shkuar me shifrat 0-0. Conte nuk ka në dispozicion 4 lojtarë të rëndësishëm për këtë sfidë Barrela dhe Skriniar të skualifikuar dhe D’Ambrosio e Asamoah të dëmtuar, megjithatë Interi e ka kapacitetin për të mposhtur dhe Atalantën që e ka të plotë kontigjentin e lojtarëve, dhe për të ruajtur edhe kreun e renditjes në Serie A edhe pse skuadra e Gasperinit vjen në këtë sfidë pas dy fitoreve në shifrat e thella 5-0. 11 pikë i ndajnë këto dy skuadra në renditje por mbetet për t’u parë se çfarë do të prodhojë fusha e lojës.
Më herët në orën 18:00 Lazio do të kërkojë mrekullinë e 10-të në sfidën ndaj Napoli për të ruajtur hapin e Interit dhe Juventusit dhe pse jo për t’u afruar më shumë me kreun e renditjes duke parë ndeshjet e vështira që kanë bardhezinjtë dhe zikaltrit. Është edhe një derbi shqiptar mes Strakoshës dhe Hysajt. Edhe pse Napoli është në vështirësi për Lazion kjo e sotmja nuk do të jetë një ndeshje e lehtë. Java e 19-të dhe e fundit për fazën e parë në Serie A, nis me sfidën mes Cagliarit dhe Milanit në orën 15:00, një duel interesant mes dy skuadrave në krizë. Ibrahimovic pritet ta nisë si titullar këtë ndeshje por ende nuk i ka 90 minuta në këmbë siç deklaroi edhe trajneri Pioli në konferencën për shtyp para sfidës. Ndërkohë nga Ligue 1 në Supersport do të keni mundësi të ndiqni takimin mes Bordeaux dhe Lyon, ndeshje që do të nisë në orën 17:00.Supersport/Digitalb
Top Channel