Ndalesa e pestë e garave emocionuese në Relli Dakar rezervoi surpriza, sidomos në kategorinë e motorëve.
Pretendenti kryesor Sem Sandërlend u rrëzua duke u detyruar të tërhiqet. Britaniku i skuadrës së KTM ishte protagonist i një rënieje serioze që e çoi në spital dhe jo në finishin e qytetit të Hail ku ishte parashikuar gara.
Ai që përfitoi në mënyrë direkte ishte shoku i skuadrës te KTM, Tobi Prajs që mori fitoren e etapës por nuk mundi të marrë dot kryesimin e përgjithshëm.
Te makinat u regjistrua një provë e rëndësishme force për Karlos Sainz. Piloti përforcoi kryesimin e përgjithshëm falë aftësive dhe fluturimit mbi dunat e rërës me makinën e tij MiniKuper. Spanjolli arriti të lërë pas kampionin në fuqi, Naser Al Atijah të cilin e kaloi pas 250 kilometrash në shkretëtirë.
Ata pak tifozë me fat që po ndjekin karvanin e garave në Relli Dakar, mundën të shikojnë gjithashtu fluturimin e kamionëve me një shpejtësi të madhe, dhe betejë po aq të fortë sa në disiplinat primare.
Top Channel