Në studion e emisionit “Top Talk”, ishte i ftuar studiuesi i çështjeve të sigurisë Arjan Dyrmyshi. Në studio u fol për konfliktin aktual midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Por ditën e djeshme dhe vendi ynë u rrezikua jo pak nga disa deklarime të Udhëheqësit Shpirtëror të Iranit, Khamenei, duke e cilësuar Shqipërinë si një vend djallëzor e cila po strehon armiqtë e saj.

Bëhet fjalë për anëtarët e MEK-ut (forcat e opozitës iraniane), të cilët ndodhen në Shqipëri me kërkesë të OKB-së që nga viti 2013-të. Në studio Dyrmyshi analizoi të gjitha mundësitë e një sulmi nga Irani. Ai u shpreh se sulmi me raketa nga ana e vendit islamik është e pamundur pasi rrezet e raketave të tyre nuk arrijnë deri në vendin tonë.

Por studiuesi shtroi hipotezën që qeveria shqiptare mund të preket nga një sulm kibernetikë (sulmi ndaj faqeve në internet), si edhe nuk mund të hidhet poshtë mundësia e një sulmi terrorist ndaj përfaqësuesve të MEK-ut.

 

“Le të marrim skenarin që Irani deri diku e ka në shënjestër Shqipërinë. Atëherë detyrimisht mund ta shohim në pikëpamjen operacionale për çfarë bëhet fjalë. Mund të jetë Shqipëria pjesë e sulmit me raketa? Nuk është sepse rrezja e raketave që Irani ka në dispozicion nuk arrin deri në Shqipëri”, u shpreh Dyrmyshi.

 Ndër të tjera ai tha:

“Rreziku është një gjë shumë e përgjithshme, dhe prandaj po them kur zakonisht flitet për këto gjëra flitet për kërcënim. Sa gjasa ka kjo gjë që të ndodhi? Dhe çfarë përmasash mund të ketë në qoftë se ndodh? Me raketa nuk ka gjasa. Që Irani të aktivizojë një skuadër terroriste, të përpiqen të asgjësojnë për të krijuar një lloj suksesi që edhe ne arritëm që të godisnim, kjo nuk mund të përjashtohet dhe për këtë mundet që anëtarët e MEKUT të jenë subjekt. Nuk duhet të përjashtohet që edhe faqet e internetit të qeverisë Shqiptare në një moment të caktuar mund të hakerohen, por këto gjëra  të kalkuluara dhe ka masa reagimi ndaj tyre”.

Top Channel