Pas dy muajsh, IKMT u rikthye në unazën e re, për të vijuar me aksionin e shembjes së shtëpive, për t’i hapur kështu rrugë projektit të unazës së madhe.

Të enjten, u shembën pesë shtëpi me mjete të rënda, ndërsa të premten do të shembet një objekt gjashtë katësh, me shpërthim të kontrolluar.

Me këtë shpërthim do të mbyllet kështu aksioni i shembjeve për lotin e parë, duke e çuar numrin e banesave të shembura në 41.

Aksioni që nisi që prej orës shtatë të mëngjesit, u mbështet nga forca të shumta të policisë, duke krijuar edhe një perimetër sigurie nga Sheshi Shqiponja deri tek Ura e Lanës (deri në fund të lotit të parë). Të gjitha shembjet u kryen pa pasur tensione apo përplasje mes banorëve dhe policisë.

Por ndryshe nga aksioni i nëntorit, banorët e zonës së Astirit nuk reaguan ndërsa i vetmi problem u krijua në trafik
Pas aksionit të së enjtes, reagoi edhe kreu i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili shkruan:

“Kauzat e rreme, bien si ngrehinat pa leje! Astiri qe një kauze fallco partish te lodhura, kundër Tiranes që ka nevojë për rrugë, sheshe, teatro dhe parqe! Pas ndërtesës së fundit, nis puna për Unazën e Madhe në 100 vjetorin e Tiranës kryeqytet! FORCA!”

Projekti i Unazës së madhe, do rinisë në sheshin shqiponja ku edhe është ndryshuar projekti. Nga një mbikalim, është ndryshuar me një nënkalim.

/Andi Bora/

Top Channel