Fiks Fare denoncoi mbrëmjen e së enjtes veprimet e disa institucioneve, të cilat në mungesë të një koordinimi, penalizuan me 5 milionë lekë një familje me 4 të mitur, të cilës i ishte shkatërruar shtëpia nga tërmeti.

Shtëpia njëkatëshe e Ismet Shetajt, nga Njësia Administrative Ishëm në Durrës, u shkatërrua nga tërmeti i 21 shtatorit. Njësia Ishëm bëri një akt konstatimi ku tha se lëkundjet sollën shkatërrimin. Por, mungesa e fondeve dhe procedurat e vonuara nga shteti, detyruan kryefamiljarin ti drejtohet ish – komunës për rikontruksionin e shtëpisë. Bëri disa kërkesa në Njësinë Administrative, madje bëri edhe një deklaratë noteriale që shtëpinë do e ndërtonte me lekët e veta. Pas miratimit, familja Shetaj filloi rikonstruksionin, duke vendosur në shtëpinë e shkatërruar disa kolona dhe duke zëvendësuar çatinë. Pasi filloi punën, në terren shkuan inspektorët e Mbrojtjes së Territorit, të Bashkisë Durrës, i vendosën një gjobë prej 5 milionë lekësh të vjetra për ndërtim pa leje. Madje, në një kohë rekord, kërkuan mbështetjen e policisë së shtetit, të policisë bashkiake, të njësisë Ishëm, për të prishur këtë ndërtim që do strehonte dy familje me 4 fëmijë të mitur.

Ismet Shetaj tha për Fiks Fare se i është drejtuar disa herë Njësisë Administrative për ta rregulluar. “Mureve të shtëpisë së vjetër i vendosëm disa kolona. Çatia ishte prishur dhe do e ribënim. Pas tërmetit erdhën ata të Njësisë dhe thanë se ka dëmtime të rënda, çatia e prishur. Pasi po e rregulloja me erdhën këta të Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit dhe më vendosën gjobë. Gjobën e vendosi shefi Ardian Halili, i cili është nga ky fshat. Unë shtëpinë do e ndërtoj, le të vijnë të ma prishin. Nuk i lë foshnjat e fëmijëve në qiell të hapur. Ata qëndruan njëherë në çadër, por nga ftohti i kam marrë unë të shtëpia ime. Jetojnë 12 vetë në atë shtëpi. Mirë që s’më ndihmuan, po s’më lanë që të ndërtoja shtëpinë edhe me lekët e mia që morëm borxh. Ne mezi nxjerrim bukën e gojës, duke dal në det të hapur për ndonjë peshk” thotë ai.

Pas ankesës, Fiks Fare iu drejtua Njësisë Ishëm për ta pyetur nëse familja Shetaj kishte apo jo leje për rikonstruksionin e banesës. Kreu i Njësisë tha se ka dhënë leje, ndërkohë një punonjës pohoi se kanë shkuar në banesën në fjalë dhe konstatuan dëmtime të rënda. Gazetarët kontaktuan edhe me Kryeinspektorin e IMT-së, Ardian Halili, i cili tha se familja Shetaj ka marrë një gjobë, pasi ka bërë ndërtim pa leje. Sipas tij, Njësia Administrative nuk jep leje ndërtimi, por është Bashkia. Sipas tij, familja duhet të bënte disa projekte. I pyetur se ndërtimi po bëhet me muret e shtëpisë së vjetër, ai tha se shtëpisë i ishin vendosur kolona. E pyesim se nëse s’do kishte kolona binte prapë, ai tha se ka zbatuar ligjin dhe se ndërtimi ishte pa leje. Më pas tha se, nëse Njësia i ka dhënë leje, do të marrë masa edhe për drejtuesit e asaj Njësie.

Fiks Fare mori nga IMT Durrës të gjithë dosjen, ky janë disa dokumente, relacione apo vendime për gjobën. Është një procesverbal i datës 11 nëntor 2019 për konstatimin e kundravajtjes, ku thuhet se “po bëhen punime në objektin ekzistues duke bërë mure tulle dhe kolona”. Në dokumente ka foto, ka vendime për prishjen e objektit, ka kërkesa nga IMT drejtuar Policisë së Rendit Durrës, Policisë Bashkiake, Njësisë Ishëm. Madje, ka edhe një kallëzim penal nga IMT drejtuar Prokurorisë së Durrësit për ndërtim pa leje. Duket se shteti më në fund ka gjetur “shkaktarët” e ndërtimeve të prishura nga tërmeti, ku ka vënë para përgjegjësisë gjyshin dhe prindërit e 4 fëmijëve të mitur, që jetojnë ende në çadër.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA