Çifti nga Zvicra, Esha Ismaili dhe Samir Kica, e ka bërë me banesë të re një familje gjilanase, e cila deri tani ka jetuar në kushte të rënda banimi.
Me këtë rast, kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, i ka pritur në takim falënderues ata, duke thënë se nuk ka vepër më humane se ta bësh me shtëpi një familje në nevojë.
Kryetari Haziri ka njoftuar se kjo është familja e 132-të që po bëhet me kulm mbi kokë në Gjilan, pas mbrëmjes së parë humanitare të vitit 2014, duke shtuar se e bën krenar solidariteti i jashtëzakonshëm qytetar me këto familje.
Sipas një komunikate të komunës, çifti Esha Ismaili, e cila është gjilanase dhe Samir Kica, i cili është nga Struga, kanë thënë se ndjehen mirë që kanë arritur ta përmbushin një synim të tyre për ta bërë me kulm mbi kokë një familje.
“Ata u zotuan para Hazirit se do të vazhdojnë t’i dalin në ndihmë edhe në shkollimin e tre fëmijëve të kësaj familje. Përndryshe, përpos ndërtimit të shtëpive e blerjes së banesave për familjet me problem të banimit, në Gjilan janë renovuar mbi 50 shtëpi, ndërkaq për 51 familje Komuna po pauan qira mujore, tash e katër vite”, thuhet në komunikatë./KosovaPress/
Top Channel