Shqiptarët në Irak/ Ministria e Mbrojtjes: S’kemi trupa. Top Channel mëson se jetojnë 42 shtetas në veri të vendit

08/01/2020 12:07

Konflikti mes SHBA dhe Iranit pritet të përshkallëzohet me përmasa të paparashikueshme. Ndërkohë që SHBA është duke tërhequr nga Iraku të gjithë trupat ushtarake.

Gjatë ditës së sotme ministria shqiptare e mbrojtjes është pyetur nëse Shqipëria ka trupa ushtarake në Irak.

“Forcat e Armatosura nuk kanë efektivë në Irak”. Kjo ishte përgjigja e zëdhënëses Albana Qehajaj.

Ndërkohë në një situatë të tillë lind pyetja. Po shtetas shqiptarë që jetojnë e punojnë në Irak a ka?

“Nga informacionet dhe kontaktet aktualisht në Erbil ndodhen rreth 30 shqiptarë, të punësuar në vende të ndryshme dhe në Bagdad janë 12 persona. Nuk ka asnjë shqiptar të dëmtuar. Klevi Hajdini, specialist buxheti, punësuar nga NATO në Bagdad ishte i vetmi nga trupat shqiptare atje edhe është evakuuar mbrëmë nga forcat e NATO-s në bazën ushtarake në Kuvajt.”, thanë për gazetarin e Top Channel, Muhamed Veliu burime nga ministria e Jashtme.

Top Channel