Policia e Kosovës ka dhënë detaje shtesë lidhur me ndalimin e Ikballe Berisha-Hudutit, e cila përmes rrjeteve sociale ishte deklaruar kundër vrasjes së gjeneralit iranian, Qasem Soleimani nga forcat amerikane, duke thënë se “hakmarrja është e obligueshme”.
Në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës, thuhet se Ikballe Berisha-Huduti dyshohet për veprën “shtytje në kryerjen e veprave penale terroriste”.
Policia thotë se gjatë aksionit të zhvilluar më 7 janar, në Prishtinë, Drejtoria kundër terrorizmit në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale të Kosovës në bazë të urdhëresës së lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, ka kryer bastisje në shtëpinë e të dyshuarës.
“Gjatë bastisjes së shtëpisë së të dyshuarës janë konfiskuar disa pajisje elektronike si dhe dëshmi tjera relevante. E dyshuara është arrestuar dhe me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Ikballe Berisha-Huduti kishte kritikuar Uashingtonin pasi forcat amerikane vranë më 3 janar gjeneralin iranian, Qasem Soleimani, në një postim në Facebook.
“Duke vrarë të zotin e shtëpisë, ju keni vrarë të gjithë familjen, andaj hakmarrja është e obligueshme, por nuk ka kufi”, ka shkruar Huduti-Berisha.
Më pas ajo e kishte fshirë këtë postim, pas raportimeve nga mediat vendore në Kosovë.
Më 3 janar, SHBA-ja kreu një sulm me dron në Irak, ku vrau gjeneralin iranian, Qasem Solemiani, liderin e forcave Quds, që nga Uashingtoni konsiderohet organizatë terroriste.
Të mërkurën, Irani ka sulmuar dy baza ajrore që strehojnë trupat amerikane në Irak, ka thënë Departamenti amerikan i Mbrojtjes.
Televizioni shtetëror iranian ka thënë se sulmi është kryer si hakmarrje ndaj vrasjes së komandantit Soleimani./rel
Top Channel