Me arsyetimin që Ministrin e Diasporës Pandeli Majko, e shikojmë shumë pak në hapësirat televizive, në studion e emisionit “Top Talk”, gazetari Denis Dyrnjaja evidentoi për disa çaste temën e ditës dhe pyetjen e tij në drejtim të ministrit e drejtoi nga Kosova.
Shteti më i ri në Europë, pra Kosova, sapo ka kaluar procesin zgjedhor dhe po has mjaft vështirësi në krijimin e një koalicioni të përbashkët mes dy partive, (Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit dhe Lidhja Demokratike e Kosovës Isa Mustafa), për të krijuar qeverinë e re. Pandeli Majko u shpreh se një sy dhe një vesh e ka nga Kosova dhe është i bindur që mes dy partive do të krijohet një kimi dhe do ta gjejnë gjuhën e përbashkët. Gjithashtu fjalën e tij ministri e mbylli me nota patriotizmi duke thënë se “Çfarëdo që të ndodhë, sido që të ndodhë, kurdo që të ndodhë. Në ditën e keqe të Kosovës, kushdo që i bën keq Kosovës, duhet ta ketë të qartë që këtë dëm ja ka bërë dhe Shqipërisë dhe anasjelltas”.
Fjala e plotë e tij:
“Janë negociata politike, është forca politike më e vjetër, forca e parë e pluralizmit në Kosovë, që po negocion me forcën më të re të Republikës së Kosovës. Dhe mendoj që kimia fillestare do të jetë e vështirë por në eksperiencën time mendoj që këto që fillojnë si shumë të vështira, sipas opinionit tim rezultojnë shumë efikase. Janë “dhimbjet e një lindje të vështirë” por shpresoj që do të prodhoj një qeveri të fortë për Kosovën zyrtare. Nuk besoj që tanimë Prishtina ka nevojë për këshilla nga Tirana zyrtare. Pa diskutim unë një sy dhe një vesh e kam nga Prishtina dhe mendoj që ndjekja e detajeve më bën optimist për atë që është evoluar atje. Është një ushtrim demokratik janë duke treguar se çështjet do t’i zgjidhin qoftë nëpërmjet transparencës qoftë nëpërmjet negociatave sado të vështira të jenë ato. Të dyja palët që do të jenë në koalicion janë duke luajtur fort dhe ne duhet t’i ndjekim cilado qoftë vendimmarrja e tyre, për Shqipërinë stabiliteti i Kosovës është primar. Arsyetimi. Çfarëdo që të ndodhë, si do që të ndodhë, kurdo që të ndodhë. Në ditën e keqe të Kosovës, kushdo që i bën dëm Kosovës, duhet ta ketë të qartë që këtë dëm ja ka bërë edhe Shqipërisë dhe anasjelltas”.
Top Channel