Aleatët historik të demokratëve kanë bërë një hap pas sa i takon kërkesës së tyre të kahershme për ndryshimin e sistemit ne proporcional kombëtar me lista të hapura.

Tërheqjen e përkohshme, Dashamir Shehi dhe Agron Duka e justifikojnë me mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

“Kemi rënë dakord me idenë e mirë që ky vendim të shërbejë për zgjedhje të parakohshme këtë pranverë. Për hir të kësaj pune po sakrifikohet edhe një sistem që për mua nuk është funksional dhe prej vitesh kam pretenduar me u ndryshu..”, shprehet Dashamir Shehi.

“Edhe nëse do ketë zgjedhje të parakohshme, ndofta nuk premton koha të hyhet në zgjedhje të parakohshme me një sistem të ri zgjedhor”, ka thënë Agron Duka.

Kur platforma e opozitës për reformën zgjedhore të bëhet publike, brenda këtij muaji, prekja e sistemit nuk do jetë e përfshirë, por dy krerët e partive aleate janë të gatshëm edhe për një kompromis më të fortë. Marrjen pjesë në zgjedhje edhe me Edi Ramën Kryeministër.

“Unë mendoj se po. Ndofta prevalent nevoja e zgjedhjeve të parakohshme për zgjidhjen e krizës, nëse ka rezultate konkrete pikërisht në ato kushte që ka pasur opozita. Nuk jam kurrë dakord nëse nuk ka masa konkrete ndaj krimit zgjedhor”, tha Duka.

“Ore unë shkoj edhe me dreqin në zgjedhje, por unë gjykoj që ky njeri deri në fund do të pengoje jo vetëm zgjedhjet por edhe Shqipërinë”, shprehet Shehi.

Kërkesa për një sistem të ri zgjedhor dhe hapjen e listave për ti ulur pushtetin kryetarëve ishte një ndër kushtet kryesore të aleatëve ndaj Lulzim Bashës, por kjo kërkesë duket se do të arkivohet për një fazë të dytë.

Top Channel