Top Story ka evidentuar një tjetër shkelje që organizohet gjatë procesit të tendrimit. Në shumë raste nuk zbatohen afatet e ankimimit. Kjo do të thotë që sapo shpallet fituesi atë ditë, menjëherë lidhet kontrata. Kjo është në shkelje të ligjit 123/2013 i cili parashikon një afat 7 ditor për ankimim për proceduarat e prokurimeve, anakandeve dhe koncesioneve ose PPP-ve.
Mos respektimi i afatit të ankimit nuk është një lapsus shpejtësie. Për ta vërtetuar këtë po kthemi pas në kohë, në vitin 2016. Në këtë periudhë Spitali i dytë më i madh në vend, Shefqet Ndroqi apo siç njihet ndryshe Sanatoriumi ka shpallur fituesin në 28 dhjetor. Bëhet fjalë për një tender që ka si objekt riparimin e tre respiratorëve. Vlera e kësaj kontrate ishte 1,9 milionë lekë pa tvsh. Ajo që bie në sy është fakti se fituesi u shpall në datën 28 dhjetor dhe një ditë më pas, në 29 dhjetor u lidh kontrata pa respektuar aftin 7 ditor të ankimit.
Vijojmë me Bashkinë Devoll, e cila nuk ka respektuar afatin kohor të ankimit kur ka realizuar tenderin për rikonstruksionin e shkollës së Bilishtit. Kontrata për rikonstruksionin e shkollës 9 – vjeçare “Dritëro Agolli” ka kushtuar mbi 84 milionë lekë me TVSH. Në garë kanë marrë pjesë tre kompani ku njëra është shpallur fituese. Problemi qëndron se nuk janë zbatuar afatet e ankimit pasi sipas dokumentave rezulton që fituesi është shpallur në 26 dhjetor dhe kontrata është lidhur një ditë më pas.
Më i rëndë është fakti që dy garuesit e tjerë nuk kanë paraqitur as ofertën ekonomike dhe sa dokumentat në garë. Pra, kanë qenë garues fiktiv.
“Në momentin e shpalljes së fituesit të tenderit duhet të ketë patjetër një afat ankimues për të gjithë aktorët që kanë marrë pjesë në garë dhe nuk janë dakord me rezultatin. Në momentin që nuk lihet një afat ankimues kjo është një shkelje e drejtpërdrejtë. E parimit të tregut të lirë, e menaxhimit të financave publike. Çdo lekë i shpenzuar në republikë ne Shqipërisë nga fondi i taksave që mblidhen nga qytetarët duhet ti nënshtrohet një gare. Të gjithë ata që shkelin këtë afta shkelin një të drejtë dhe shkelin ligjin dhe të gjitha ata që e kanë bërë duhet të përgjigjen para ligjit”, tregon Panajot Soko, ekspert ekonomie.
Një tjetër rikonstruksion shkolle figuron që të ketë patur një tender dyshues. Këtë herë jemi në Bashkinë e Lushnjës e cila ka kërkuar rikonstruksionin e shkollës 9 – vjeçare në Karbunarë të Vogël me një vlerë mbi 50 milionë lekë të reja. As në këtë kontratë nuk është zbatuar afati i ankimit prej 7 ditësh. Kontrata është lidhur në të njëjtën ditë që është shpallur edhe fituesi. Kjo procedurë s’ka patur garues, një tjetër parregullsi e prokurimit.
Dy janë problemet kryesore që ndikojnë në mos ankimimin e biznesit apo të palëve të treta për procese tenderimi që mendohen si abuzive. Ato janë tarifa e lartë që duhet të paguaj ankimuesi si dhe humbja e besimit se do të gjejë të drejtën.
“Vendosja e një kostoje shumë të madhe për të bërë këtë proces që ankimon dhe kërkon transparencë në kritere dhe në mënyrën e zbatimit të tyre pengohet në këtë mënyrë. Kostoja e bën hezitues atë që ka ankimim për këtë proces aq më tepër një tjetër që nuk është i fituar apo i humbur në atë garë. Pra duhet të jetë ligji i tillë që të nxisi jo vetëm palët pjesëmarrëse por edhe palët e treta për të denoncuar këtë keq zbatim të ligjit, i cili çon edhe në keq përdorimin e fondeve publike”, tregon ekspertja e ekonomisë Suzana Guxholli
“Vetankimimi në komisionin e prokurimit publik nuk ka atë besueshmëri aq të madhe në sytë e biznesit. Që të thonë ok po shkoj të bëj ankesën po paguaj tarifën se aty do të vendoset drejtësia. Kjo ndodh shumë rrallë dhe në shumicën e rasteve komisioni i prokurimit publik lë në fuqi vendimet e autoriteteve kontraktore”, tregon gazetari Klodian Tomorri.
Top Channel