Rritja e ndjeshme e çmimit të qirave për apartamentet në zonat e prekura nga tërmeti është kthyer në një problem të madh, veçanërisht për familjet e pastreha që jetonin me qira para tërmetit të 26 nëntorit.

Kjo kategori nuk përfiton nga bonusi i qirasë dhe 3 janari ishte data e fundit për qëndrimin në hotele. Një pjesë e ka respektuar afatin, po për disa të tjera ikja nga hotelet do të thotë dalje në rrugë ose kthim në banesat e pabanueshme.

“Qiratë janë rritur. Nuk i përballojmë dot. Nuk gjejmë shtëpi me qira në vlerën e mëparshme. Nuk kam ku të shkoj nëse na nxjerrin nga hoteli do të qëndroj në plastmas. Ku të shkoj?!”

Edhe Anita Alla, nënë e dy fëmijëve 2 dhe 5 vjeç ndjehet pashpresë dhe kërkon ndihmë. Për shkak të fëmijëve të mitur, që nuk ndahen një çast prej saj, në dhjetor humbi dhe punën si sanitare në një lokal të plazhit, duke i dhënë një tjetër goditje të rëndë financave të familjes, ndërsa i shoqi punon me ditë në punë krahu. Tregu i pasurive të paluajtshme, përfshirë dhe atë informal, nuk ofron më shtëpi për buxhetin e vogël të familjes së saj.

“Na kanë thënë të dalim por ku të shkojmë. Kemi kërkuar shtëpi me qira, po nuk ka më dhe çmimet janë rritur. Nuk përballojmë dot më shumë se 10 mijë lekë qira se duhen paguar dhe dritat e uji. Jam dhe e papunë tani… Nëse do na nxjerrin do kthehemi te shtëpia e prishur.”

Pas 3 janarit, familja e saj dhe të afërmit e tjerë po vazhdojnë të qëndrojnë në hotel falë bujarisë së pronarëve të hotelit ku janë strehuar prej pak javësh, po dhe ata vetë pyesin deri kur?!

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA