Një lajm i mirë për të gjithë ato familje që janë prekur nga tërmeti në zonat rurale dhe që këto ditë po i kalojnë në çadrat dimërore.
Bashkia e Tiranës ka porositur 200 shtëpiza në formë kontenieri për strehimin provizor të këtyre familjeve në këto ditë të ftohta, kryesisht në zonat rurale, ku familjet nuk kanë pranuar që të largohen nga toka. Një prej përfitueseve të para është edhe familja e Bedri Shkallës në Farkë të Tiranës të cilës iu shemb shtëpia nga tërmeti i 26 nëntorit. Gjashtë pjesëtarët e kësaj familje janë strehuar në një shtëpizë-kontenier, dhuratë nga familja e filantropit Lazim Destani, e cila ofron të gjitha kushtet për të kaluar dimrin gjer në montimin më pas të banesave të reja nga qeveria shqiptare. Ata u vizituan ditën e sotme nga Kryeministri Edi Rama dhe Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj , të cilët e siguruan se falë këtij projekti të qeverisë shqiptare, shtëpitë e reja do të jenë model.
“Kjo është vetëm një zgjidhje provizore. Kryeministri na la një porosi që ku ka fëmijë të vegjël që çadra nuk është komode, ne kemi porositur kontenierë. Kemi 200 familje që realisht kanë fëmijë të vegjël dhe që nuk kanë një plan B tek një i afërt, ndërkohe kemi filluar me porosi të kryeministrit edhe pastrimin e këtyre territoreve ku do jenë lagjet e reja. Ti që je në tokë tënde dhe që je tashmë në një lagje të urbanizuar do ta sjellim shtëpinë këtu, siç porositi kryeministri. Ndërkohë që për të tjerët do t’i grupojmë, p.sh në Baldushk ku më the që ke vëllain atje kemi gjetur një tokë dhe ato 50 familje më mirë me i sjellë në një vend”, deklaroi Veliaj.
Teksa garantoi për cilësinë e shtëpive të reja, Kryeministri Edi Rama theksoi se në fillim të pranverës do të fillojë edhe montimi i tyre. “Kjo nuk është çështje parafabrikati apo tullash. Kjo është çështje që të kemi shtëpi më të mira, më të forta shtëpi antisizmike. Ato që do të ngrihem i kanë të gjithë ato parametra, janë shumë komode, i përdor Amerika, Gjermania , vende të tjera. Po ecim shumë shpejt me punët edhe besoj që në fillim të pranverës, do të fillojmë të montojmë shtëpitë e reja”, tha ai.
Rama nënvizoi se lagjet e reja që do të krijohen do të plotësojnë të gjitha kushtet për familjet që do të vendosen aty dhe do të krijojnë një perspektivë të re. “Do kenë shumë më tepër kushte të mira dhe do jenë më afër me njëri-tjetrin, por jo thjesht për njeri-tjetrin, por më afër me shërbimet, më afër me çerdhen, me kopshtin, shkollën, qendrën shëndetësore. Ndërkohë që toka i mbetet atij që e ka, është tokë bujqësore, fermë e vogël, me bagëti etj. Të shkojë i zoti i punës ta punojë dhe të kthehet në shtëpi, jo të shkojë e gjithë shtëpia”, theksoi Rama.
Top Channel