E kërcënonte për publikim të fotove intime/ Lirohet 17-vjeçari, akuzohej se shtyu 15-vjeçaren drejt vetëvrasjes

07/01/2020 11:16

Gjykata e Beratit liroi pas 8 muajsh Davide Kovaçin. 17-vjeçari u akuzua se shkaktoi vetëvrasjen e 15-vjeçares Adela Çaçi, pas kërcënimeve se do i publikonte fotografi intime. Adela, nga fshati Duhanas helmoi veten me fotoksinë më 5 Maj 2019.

E regjistruar për shqyrtim që në 24 shtator 2019 në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Berat, çështja penale për “shkaktimin e vetëvrasjes” në ngarkim të 17-vjeçarit Davide Kovaçi është pushuar. Kjo çështje mbërriti për kompetencë në Gjykatën e Beratit nga Gjykata e Vlorës dhe u regjistrua më 14 nëntor 2019, pas krijimit pranë organit të akuzës të sektorit të të miturve.

Davide Kovaçi akuzohej se pas kërcënimeve që i kishte bërë 15-vjeçares Adela Çaçi se do t’i publikonte foto intime, kishte shkaktuar vetëvrasjen e saj. Gjyqtarja e çështjes, Adelajda Gjuzi, vendosi më 5 dhjetor 2019, mospranimin e kërkesës së prokurorisë Berat për dërgimin e çështjes në gjyq, duke vlerësuar se hetimet nuk ishin të plota.

Gjyqtarja Gjuzi i la prokurorisë një afat 22-ditor për të plotësuar hetimet, por prokuroria nuk solli para trupit gjykues asnjë provë të re ndaj 17-vjeçarit Davide Kovaçi. Sipas gjykatës, e vetmja provë e organit të akuzës ishte një bisedë e regjistruar mes Davides dhe viktimës Adela Çaçi, bisedë që u gjet në telefonat e sekuestruar të prindërve të tyre: Haxhi Çaçi dhe Ilirjan Kovaçi.

Në lidhje me këtë provë, Gjykata ka konstatuar se biseda nuk e ka të shënuar datën kur është zhvilluar, duke mos u evidentuar kështu lidhja mes kësaj bisede dhe pirjes së lëndës helmuese nga viktima. Sipas gjykatës,nga kqyrja ka rezultuar biseda por nuk është fiksuar data se kur ka ndodhur dhe nuk dihet nëse ka ndodhur ditën e ngjarjes apo shumë më përpara saj.

Po sipas Gjykatës së Beratit, nga përmbajtja e kësaj bisede rezulton të jetë një bisedë e zhvilluar mes dy adoleshentësh në marrëdhënie dashurore me njëri-tjetrin. Pasi dëgjoi të gjitha palët e përfshira në këtë çështje, gjyqtarja Adelajda Gjuzi ka vendosur pushimin e çëshjes penale në ngarkim të Davide Kovaçit, shuarjen e masës së sigurimit “arrest në burg” të caktuar nga Gjykata e Vlorës në 8 Maj 2019 dhe lirimin e menjëhershëm të pandehurit Davide Kovaçi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA