Jo më kohë të humbur nga një institucion në tjetrin për marrjen e dokumentacioneve që ju nevojiten. Në platformën e-albania, aplikimet për shërbime online shkojnë në 472.
“Një ndër shërbimet me më tepër impakt në listën e 472 shërbimeve të janarit është edhe marrja e dëshmisë të penalitetit, online pa pagesë. Deri para një jave, qytetarëve u duhej që të shkonin dy herë në radhët e postës, të bënin aplikimin, të kryenin pagesën, të prisnin deri dy javë që merrnin përgjigje për të shkuar fizikisht në postë. Tashmë i gjithë ky proces kryhet online, qytetari aplikon në platformën e-albania.
Le ta shohim konkretisht se si realizohet. Duhet të regjistrohemi nëse nuk jemi, ose të identifikohemi me të dhënat tona me nr personal të identitetit. Dëshminë e gjejmë në listën që shfaqet. Dëshmia e penalitetit është I vlefshëm si dokument 3 muaj nga momenti I gjenerimit dhe 6 ditë pas aplikimit marrim përgjigjen. Klikojmë aplikim i ri. Shohim që të dhënat tona futen automatikisht nëpërmjet ndërveprimit elektronik. Shënojmë institucionin për të cilin kërkohet certifikata dhe klikojmë butonin dërgo. Në këtë moment kemi përfunduar aplikimin tonë. Dokumentin e gjejmë te profile ynë, te lista e dokumentave të mia. E cila ka vulën elektronike”, shprehet Romina Kostani.
Çdokush mund t’i drejtohet këtij sistemi nëpërmjet kompjuterit apo telefonit, për të shmangur sorollatjet nga zyra në zyrë. Sidomos për bizneset. Ndërsa për pensionistët, që mund ta shohin me hezitim këtë mënyrë funksionimi do të kenë në gatishmëri nëpunës të administratës për t’ua shpjeguar.
“Punonjësit e administratës janë në dispozicion të qytetarëve për t’i asistuar ata duke filluar nga krijimi i një profili deri te kryerja me sukses I aplikimit”, shton më tej Kostani.
/Kristi Gongo/
Top Channel