Tërmeti/ Ahmetaj: Deri në verën e vitit 2021 të gjithë familjet e prekura do të gjejnë përgjigje!

06/01/2020 16:19

Ministri i Brendshëm, Arben Ahmetaj, në një deklaratë për media, mbi vendimet e sotme të qeverisë për procesin e rindërtimit ka thënë se të gjitha bashkitë janë të detyruara që brenda afatit të caktuar të nisin punën.

“Kryeministri i ka kërkuar kryetarëve të bashkive të fillojnë procesin ligjor konkret të përcaktimit të tokave ku do të ndërtohen qytezat urbane. Në bazë të urdhrave brenda 15-20 ditëve në të gjithë territorin e Shqipërisë ku është cilësuar e prekur nga tërmeti. Të gjitha bashkitë janë të detyruara që brenda afatit të nisin punën. Sot kemi kaluar vendime për përcaktimin e rregullave, kategorive, masës që do të shpenzohet”, shprehet ministri.

Ahmetaj shton në fjalën e tij se është hera e parë në 30 vite që hartohet një ligj i posaçëm si dhe ditën e nesërme do të zhvillohet një takim me kryetarët e bashkive për të bërë të gjithë listën ligjore të familjeve që kanë humbur shtëpitë.

“Hera e parë në 30 vite që hartohet një ligj i posaçëm dhe procedura të posaçmme. Ditën e nesërme ka një takim me kryetarët e bashkive, që në bazë të ligjit do të bëjnë të gjithë listën ligjore të familjeve që kanë humbur shtëpitë, që banesat e tyre janë cilësuar të pabanueshme. Duhet të ngremë një formë aplikimi për qytetarët e dëmtuar. Aplikimi do të jetë i thjeshtë dhe bashkitë duhet të hartojnë politikat për të bërë të mundur financimin e projekteve”, shton Ahmetaj.

“Një vendim i rëndësishëm tjetër është caktimi i rregullave për miratimin e lejeve të zhvillimit të ndërtimit për banesat e prekura. I detyrojmë brenda një kohe të shkurtër që të bëjnë planet e detyruara. Caktim i rregullave të procedurës së përshpejtimit për miratimin e lejeve. Rregulla për kompesimet e të dëmtuarve. Qeveria është siguruar që qytetarët të mos mbeten pa çati”, shton më tej Ahmetaj.

Ahmetaj shpjegon procedurat që do të ndiqet dhe shprehet se jo më gjatë se 12 muaj nga momenti i fillimit e deri në verën e vitit tjetër të gjithë familjet e prekura do të gjejnë një përgjigje!

“Vendimi i katërt është për përfitimin nga grantet e rindërtimit, për ato banesa që do të vlerësohen nga inxhinierët e licensuar. Kemi vendimin për rimëkëmbjen ekonomike, bëhet fjalë për politika dhe reforma specifike në zonat e ndërtuar, si p.sh. devijimi i një prej kredive që kemi me një nga partnerët ndërkombëtarë nga zona e jugut të Shqipërisë në zonën e Durrësit. Përcaktimi i përfitimit të sipërfaqeve ndërtimore është një procedurë e nevojshme ligjore sepse jep mundësi që shteti dhe qeveria të marri përsipër që familjet të përfitojnë nga program i rindërtimit.

“Vendim specifik për shpronësimet ose shërbimet e pronës për interes publik. Propozimi i politikave, i shkojnë këshillit të ministrave aty gjykohen merret vendimi dhe pasi caktohen fondet, pas kësaj financohet program dhe entet mbajnë përgjegjësi për zbatimin e procedurave dhe afatit të duhur. Jo më gjatë se 12 muaj nga moment i fillimit, deri në verën e vitit tjetër mendoj se familjet do të gjejnë përgjigje!”, përfundon fjalën e tij ministri.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA