Të gjithë përplasen për Dritan Dajtin/ Gjykata refuzon SPAK për mbylljen e hetimeve të 3 gjyqtarëve: Gjeni të katërtin

06/01/2020 19:30

Tre gjyqtarët që u kontrolluan fill pas shpalljes së vendimit për Dritan Dajtin, nën filmimet e bëra publike nga forcat speciale përplasen me njëra tjetrën , gjykatën e posaçme, SPAK dhe policinë e shtetit.

Ndërsa Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar kundërshtoi prokurorinë SPAK, që kërkoi pushim të hetimeve për gjyqtarët Aleks Nikolli, Petrit Aliajt dhe Skënder Daminit , SPAK pretendon se informacioni i është sjellë nga policia e shtetit në mënyrë jo proceduriale.

“Informacionet e parashtruara nga oficerët e policisë gjyqësore në referimin penal si dhe në vijim gjatë hetimeve, përsa i përket elementëve penalë të parashikuara nga nenet 319 dhe 319c të kodit penal, janë informacione të mbledhura në rrugë gjurmuese policore, nuk janë të dhëna që janë marrë në formën e duhur proceduriale, si të tilla , të vetme , nuk mundet të shërbejnë si burim prove me vlerë provuese në këtë referim penal”.

Por për çfarë informacioni bëhet fjalë për të cilin SPAK nuk mundi të provojë atë që policia gjyqësore i referoi bazuar në gjurmim? Siç pretendoi
në atë kohë policia persona të caktuar mund të kishin influencuar tek gjyqtarët për të dhënë vendim favorizues për Dritan Dajtin, por pavarësisht kësaj si dhe zgjatjes dy herë të hetimeve, prokuroria nuk mundi të gjejë prova.

Prokurori i çështjes kërkoi kthim të sendeve personale te tre telefonave dhe të shumën prej 17 mijë euro që sipas prokurorit ishin të ardhura nga familjarët e gjyqtarit Skënder Damini.

Por as prokuroria dhe as policia nuk kishin gjetur adresën e një të katërti nën hetim , që konsiderohet avokat dhe që kryen shpesh takime me Dajtin.

Ky është një nga shkaqet se përse gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i konsideron hetimet të paplota dhe duhen vazhduar më tej. Edhe pse ndërkohë gjyqtarët nga ana e tyre deklarojnë se kanë ushtruar detyrën.

Pas heqjes së burgimit të përjetshëm dosja “Dajti” gjendet në gjykatën e lartë ku të dyja palët edhe prokuroria dhe avokatët kanë dorëzuar rekurs.

Anila Hoxha

Top Channel