Është sulmuar për herë të dytë makina e analistit Fatos Lubonja. Ngjarja ka ndodhur natën e ndërrimit të viteve, ndërkohë që Lubonja e ka bërë denoncimin në polici më 2 janar.

Autorët nuk janë identifikuar ende, ndërsa makina në momentin e sulmit ka qenë e parkuar pranë banesës së analistit.

Ky është rasti i dytë kur makina e Fatos Lubonjës dëmtohet me sende të forta, pas ngjarjes së ndodhur më 1 korrik të 2019-ës. Policia deklaroi për rastin e parë se personi që kishte sulmuar makinën kishte probleme mendore.

Ndërkohë, ka reaguar për ngjarjen edhe demokrati Genc Pollo, ish-deputet dhe ish-kryetar i Komisionit Parlamentar të Medias. Për Pollon, rrethanat inkurajuese për këto agresione krijohen nga agresioni verbal i Qeverisë së Edi Ramës kundër çdo kritiku.

“Fatos Lubonja me jetën e tij të vështirë është simbol për shumëçka. Por vitet e fundit ai është ndër pak kryezërat jopartiakë e të besueshëm që denoncojnë parreshtur kapjen e shtetit dhe ofiqarët banditë. Prandaj sulmi i përsëritur kundër tij, duke i shkatërruar sërish veturën, është vetëm një sinjal i përsëritur për t’i mbyllur gojën. Agresioni verbal i qeverisë Rama kundër çdo kritiku dhe ligjet anti fjalë kanë krijuar rrethanat inkurajuese për keto agresione.

Prokuroria duhet të hetojë seriozisht e të nxjerrë para drejtësisë edhe dorësin edhe mandantin. Por gjithkush mund të mbrojë Fatos Lubonjën duke thënë zëlartë si ai të vërtetat e kohës”, shprehet Pollo.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA