Mëngjesin e sotëm, si çdo vit, në pritje të hedhjes së kryqit, të dyja brigjet e lumit Osum u mbushën me besimtarë ortodoksë, emigrantë dhe qytetarë të shumtë.
Kjo festë e përvitshme ka bërë bashkë në qytetin e Beratit qindra qytetarë beratas, mes tyre edhe besimtarë myslimanë që çdo vit bëhen pjesë e kësaj feste të shenjtë, asaj të Ujit të Bekuar.
At Petraqi,i shoqëruar nga përfaqësues të Kishës Ortodokse dhe pushtetarë vendorë u nis nga Katedralja e Shën Dhimitrit në qendër të qytetit dhe pasi përshkoi në këmbë pedonalen, mbërriti në Urën e Goricës.
Për të marrë kryqin, në ujërat e ftohta të lumit Osum janë hedhur 8 të rinj beratas. Kryqi u hodh nga At Petraqi dhe pasi përfundoi në ujërat e Osumit u kap për të dytin vit radhazi nga 42-vjeçari Alfred Xhimitiku, banues në lagjen Goricë. Pas kapjes së kryqit, Xhimitiku u ka uruar të gjithë besimtarëve ortodoksë dhe jo vetëm, një vit sa më të mbarë.
Si traditë,pas kapjes së kryqit, Xhimitiku shkon derë më derë me kryqin në dorë, në çdo familje beratase, ku merr bekimin nga familjarët.
Top Channel