Pasi Gjykata e Tiranës zbardhi vendimin sa i takon Ervin Salianjit, ku ky i fundit dënohet me 1 vit burg për çështjen “Babale” ka reaguar vetë ish-deputeti i partisë Demokratike.

Në një deklaratë për shtyp, Salianji tha se vendimi i djeshëm ka qenë një vendim “copy paste” i Prokurorisë.

“Dje, në ditë pushimi, gjyqtari i partisë nëpërmjet zëdhënësve të rilindjes ka shpërndarë vendimin e gjykatës në të cilën siç e kemi thënë dhe siç e shihni nuk ka asnjë provë dhe asnjë fakt! Vendimi i Gjermenit i shkruar nga partia, është vendim politik, fjalë për fjalë si pretenca që dha Rama pas publikimit të skandalit Xhafaj.  Njësoj si dënimet për agjitacion dhe propogandë, gjyqtari i partisë thotë që është dëmtuar reputacioni publik i një krimineli të dënuar dhe që sot po kryen dënimin në Itali apo dëmtimi i reputacionit politik të ish-ministrit të brendshëm ndërkohë që menjëherë pas denoncimit, Agron Xhafaj, shkoi për të vuajtur dënimin. Vendimi i djeshëm nuk ka asnjë provë, asnjë fakt dhe asnjë linjë logjike se si ka bashkëpunim mes personave që nuk njihen. Gjyqtari e pranon në vendim që ne nuk kemi njohje të mëparshme, pranon dhe që mes meje apo dhe gazetarit Olldashi, nuk ka komunikime dhe asnjë kontakt dhe asnjë njohje me dëshmitarin e sajuar Alizoti. Arsyetimi i vendimit dhe dalja e tij pa ju njoftuar palëve dhe pa u hedhur ne sistem e bën të dyshimtë se si dhe kur është bërë zbardhja e vendimit, vendimi në pjesën hyrëse (22 flete) ka krejtësisht copy/paste konkluzionet përfundimtare të prokurorisë, ndërkohë që gjithë pjesa tjetër është vetëm përsëritje. Për aq kohë sa procedura gjyqësore u bë me gjykim themeli dhe jo me gjykim të shkurtuar, gjykata duhet të kishte rrjedhën e saj të ngjarjeve e jo atë të prokurorisë. Ne vendim nuk citohen në pjesën hyrëse të tij argumentet e mbrojtjes, apo dhe kur bëhet analiza nga gjykata e elementeve te figurës së veprës penale, serish nuk citohen pretendimet e mbrojtjes. Një vendim i strukturuar në këtë mënyrë, nuk jep mundësinë e analizimit të tij sipas procesit gjyqësor, por vetëm sipas këndvështrimit të akuzës që është përthithur edhe si këndvështrim i gjykatës. Në vendim nuk citohet asnjë kërkesë e bërë nga mbrojtja dhe e rrëzuar me vendim të ndërmjetëm nga gjykata, ku të arsyetohet edhe shkaku i rrëzimit”, u shpreh Salianji.

Më tej shtoi:

“Një nga faktet e falsifikuara në vendimin e gjykatës është mos dorëzimi i materialit origjinal. Gazetari Olldashi e ka dorëzuar materialin origjinal, por qëllimisht kur është ndarë dosja e trafikimit të narkotikëve, nga ajo e kallëzimit të rremë, materiali origjinal është lënë pjesë e dosjes së trafikimit. Në gjykim është kërkuar administrimi i kësaj prove, por kjo kërkesë është rrëzuar nga gjyqtari, në mënyrë të qëllimshme: Sot po ju tregoj procesverbalin e dorëzimit të materialit bruto nga gazetari Olldashi (dokumenti). Ky material, materiali bruto është dërguar në Itali për ekspertizë, por më pas ky material nuk u dërgua tek ekspertët britanikë. Tjetër fakt i falsifikuar është ai se në gjykim u provua dijenia e të pandehurve Salianji dhe Olldashi në lidhje me falsifikimin e materialit nga Veliu dhe Alizoti, ndërkohë që gjatë pyetjes në gjykatë vetë dëshmitari i sajuar Alizoti, pranoi që vetëm ai ka qënë në dijeni të këtij fakti deri në datë 01.06.2018,datë që ka bërë dhe denoncimin në polici (pasi ishte përpunuar nga policia). Ky falsifikim është bërë me qëllimin e vetëm për të konsideruar se vepra penale është konsumuar me dashje direkte, si e vetmja mënyrë për tu konsumuar kallëzimi i rremë; Në vendimin e gjykatës përseritet disa herë se motivi për kallëzimin e rremë ka qenë cënimi i reputacionit publik te Geron (Agron) Xhafes. Po si mundet te konsiderohet “reputacion publik” ai i një të dënuari me vendim të formës së prerë të një gjykate të shtetit italian për trafikim lëndësh narkotike!? Në vendim është falsifikuar fakti në lidhje me aktin e ekspertimit. Në vendim citohet se akti i ekspertimit e rrëzon mundësinë që zeri në audio-pergjim të mund të jetë ai i Geron Agron Xhafës, ndërkohë që vetë akti citon se zëri në audio përgjim është i ngjashëm me atë të Geron Agron Xhafës; Në vendim citohet termi “kallëzim publik”, term ky i panjohur më parë sepse ato që njihen deri tani janë “denoncimi publik” dhe “kallëzimi penal”. Ne këtë rast ka vetëm denoncim publik, por gjyqtari me qëllim ka përdorur termin “kallëzim publik”. Në vendim nuk gjendet asnjë përshkrim e aq më pak ndonjë arsyetim në lidhje me drejtuesit e policisë që janë përfshirë në krijimin dhe rekrutimin e dëshmitarit të rremë Alizoti, pavarësisht se rezultoi që të kishim konsumuar veprën penale të deklarimit të rremë, para prokurorit në rastin më të mirë. Falsifikim i fakteve është edhe arsyetimi se në datën 24.10.2017 ka qenë e pamundur që të kenë qenë fizikisht, njëkohësisht Veliu, Olldashi dhe Xhafaj pasi nga tabulatet e plota, rezulton që në harkun kohor 12.45 deri 13.45 ata të kenë qenë në të njëjtën rreze në qytetin e Vlorës, siç konfirmohet edhe nga deklarimet e gazetarit Olldashi që ka sqaruar se audio përgjimi është realizuar rreth orës 13.30. Gjykata, po ashtu si prokuroria, pavarësisht se i ka administruar tabulatet të plota, zgjedh të citojë vetëm ato të pas orës 14.00, kur edhe këta persona janë larguar nga njëri-tjetri.”

Për ta përmbyllur me:

“Falsifikim i fakteve është edhe citimi se njohja mes Veliut dhe Olldashit është kryer nga unë e për më tepër, ky “fakt” (tel e datës 20.10.2017 nga Veliu tek unë) konsiderohet dhe momenti i fillimit të bashkëpunimit mes meje dhe të pandehurve të tjerë. Vetë tabulatet tregojnë se komunikimi ka nisur në datë 18.10.2017 me sms të dërguar nga Olldashi tek unë dhe ka vijuar dhe me date 19, çka tregon se iniciator në komunikim ka qenë Olldashi.
Falsifikim i fakteve është edhe konsiderimi si fakt i asaj se audio-përgjimi është realizuar në datat 14 ose 15 janar 2018, pasi vetë deklarimet e Alizotit që janë e vetmja bazë e këtij fakti, bien ndesh me tabulatet e telefonave të tij dhe të Veliut. Ata nuk kanë ardhur asnjëherë në Tirane në këto data e në vijim, për të sjellë stilolapsin e pretenduar. Vendimi i Gjermenit bie ndesh me jurisprudencën e GjEDNj, pasi i jep prioritet privatësisë dhe reputacionit publik të një të dënuari me vendim të formës së prerë për trafik narkotikësh që ka vëllain Ministër te Brendshëm, në dëm të lirisë së shprehjes së një politikani të opozitës dhe një gazetari investigativ. Banditët me apo pa mbështetje politike, në polici, prokurori, gjyqësor apo kudo janë, do të mbajnë përgjegjësi një më një, para ligjit dhe nuk do ketë prehër krimineli që do ti shpëtojë.”

FOTO GALERI
3/7

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA