Në këto ditë pushimi, një film i mirë, apo një shfaqe dhe ekspozitë, diçka që ka lidhje me artin do të jetë plotësuesi më i mirë i argëtimit.
Në rast se do të ndalemi te filmat hidhini një sy programacionit të Top Channel. Të dielën në 20:10 ju sugjerojmë dokumentarin premierë Meghan Markle, 100 ditët e para-të saj në familjen mbretërore, aq më tepër që kjo e fundit është vendosur në qendër të stuhive mediatike. Gjithashtu mos harroni t’i drejtoheni kinemasë. Shumë filma interesantë përfshirë “Frozen 2”, një zgjedhje e zgjuar për të gjithë fëmijët.
E shtuna në orën 23:00 sjell në ekranin e Top Channel filmin premierë “Lazarati Digjet”, një produksion ndërkombëtar me mbështetjen e Digitalb frymëzuar nga ngjarjet e Lazaratit. Në rast se do t’i drejtoheni teatrit. Në Teatrin Kombëtar nga kjo fundjavë fillon shfaqja e jashtme e regjisores Driada Dervishi “Kryeinspektori”, por njëkohësisht Teatri Kombëtar Eksperimental Kujtim Spahivogli sjell tek ArTurbina së pari për vogëlushët këtë fundjavë “Një biletë për në Polin e Veriut” dhe po ashtu vijon me shfaqet e Boeing Boeing.
Në rast se doni të shijoni një ekspozitë të mirë drejtojuni Galerisë Kombëtare të Arteve, ku ju pret ekspozita “Tirana patince”, bëhet fjalë për një koncept të ri, e cila përveç veprave të fondit të Galerisë Kombëtare të Arteve përfshin edhe punët e disa artistëve të rinj bashkëkohorë, ndërkohë që jashtë Galerisë do të keni mundësinë të shijoni instalacionin “Pallati i Ëndrrave”.
Jetona Koçibelli
Top Channel