Një gjykatë kroate shpalli fajtor për korrupsion ish-kryeministrin kroat Ivo Sanader dhe shefin e grupit energjetik hungarez MOL Zsolt Hernadi, duke i hapur kështu një kapitulli të ri në një sagë ligjore të zvarritur për gati një dekadë.
Hernadi, u shpall fajtor për dhënie ryshfeti në 2008-tën Sanaderit që drejtonte asokohe ekzekutivin e vendit. Qëllimi ishte t`i lejohej MOL-it që të kthehej në vendimmarrësin kryesor të firmës energjetike kroate INA, ku MOL-i është aksioneri më i madh, ndërsa shteti kroat vjen i dyti.
Të dy ata kanë marrë dënime me 6 vjet heqje lirie ndonëse asnjëri nuk ishte i pranishëm në gjykatë. Vendimi nuk është final dhe mund të apelohet. Kryetari i Gjykatës, Ivan Turudiç u shpreh se “ka një urdhërarrest europian aktiv për Hernadin dhe Hungaria duhet të veprojë në bazë të tij”.
Kjo e fundit ka refuzuar ta zbatojë fletëarrestin ndërkombëtar të Interpolit. Hernadi dhe Sanaderi, i cili mbajti postin e kryeministrit në Kroaci që nga viti 2003 deri në 2009, i kanë mohuar akuzat e kësajçështjeje që fillimisht u zbulua nga agjencia kroate anti-korrupsion.
Raportet në media tregojnë se Sanaderi kishte rënë dakort me Hernadin që Kroacia do t’ia jepte të drejtat e vendimmarrjes MOL-it, në këmbim të 10 milionë eurove.
Sanader fillimisht qe dënuar me 10 vjet burgim më 2014 për marrje ryshfeti nga MOL-i, por Gjykata Kushtetuese e Kroacisë në 2015 urdhëroi rigjykim, duke përmendur gabimet proceduriale. Dënimi duke i është ulur tani për arsye shëndetësore.
Top Channel