Sulmi amerikan mbi objektiva të milicisë iraniane shkakton 25 të vrarë

30/12/2019 16:41

Një milici e mbështetur nga Irani, kërcënoi të hënën se do të hakmarrjet në përgjigje të sulmeve ajrore amerikane kundër pozicioneve të saj në Irak dhe Siri, gjatë së cilave u vranë të paktën 25 persona.

Paralajmërimi nga grupi Kataeb Hezbollah erdhi ndërsa Ministri i Jashtëm i Iranit dënoi sulmet amerikane si shkelje të sovranitetit të Irakut dhe i cilësoi ato si terrorizëm.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes Mark Esper konfirmoi sulmet ajrore në komentet për gazetarët të dielën vonë. Ai tha se avionët amerikanë sulmuan tre objektiva të grupit Kataeb Hezbollah në Irakun perëndimor dhe dy të tjera në Sirinë lindore.

Sekretari Esper i identifikoi objektivat si depo të armëve dhe objekte komande dhe kontrolli.

Sulmet ajrore u kryen në përgjigje të një sulmi me raketa të premten në një bazë ushtarake irakiane në veri të Irakut gjatë së cilës u vra një kontraktues i ushtrisë amerikane.

Sekretari Esper foli nga një vendpushim në Florida, ku Presidenti Donald Trump po kalon pushimet për festat e fundvitit. Gjithashtu atje për të njoftuar presidentin ishte edhe Sekretari i Shtetit Mike Pompeo, i cili tha se baza irakiane e goditur të premten është sulmuar disa herë.

“Ne ndërmorrëm një përgjigje vendimtare e cila e bën të qartë atë që presidenti Trump e ka thënë me muaj me radhë. Ne nuk do të qëndrojmë ndërsa Republika Islamike e Iranit ndërmerr veprime që i vënë ushtarët dhe kontraktorët amerikanë në rrezik.

Kataeb Hezbollah është pjesë e milicive të sanksionuara nga shteti që veprojnë në Irak, të njohura si Forcat Popullore të Mobilizuara.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA