Në një prononcim për mediat, drejtori i Policisë Rrugore, Edmond Tarkaj foli në lidhje me masat e marra nga Policia Rrugore në të gjithë vendin, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore gjatë natës së ndërrimit të viteve dhe ditëve të para të vitit të ri.

Sa i takon planit të masave, Tarkaj tha se duke filluar nga sot, të gjitha akset rrugore kryesore të vendit do monitorohen me radar, me qëllim parandalimin e shpejtësisë, e cila është burim potencial për aksidente rrugore.

“Po në këto akse do ketë edhe kontroll me alkooltestuesit drager, me qëllim evidentimin dhe ndëshkimin e atyre drejtuesve të automjeteve që drejtojnë mjetin nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur. Në gjithë akset rrugore, qoftë në zonat urbane apo ato rurale, do ketë prezencë të shtuar të Policisë Rrugore, me qëllim monitorimin e qarkullimit, eliminimin e vonesave për shkak të manovrave të gabuara në rrugë, kryesisht parakalimet e gabuara që bëhen shkas edhe për aksidente, por edhe për bllokim të qarkullimit. Për natën e ndërrimit të viteve, Policia Rrugore ka marrë masa për të gjitha sheshet, në bashkëpunim me shërbimet e tjera të Policisë së Rendit dhe me Policitë Bashkiake, me qëllim disiplinimin e qarkullimit dhe eliminimin e konfuzionit apo bllokimeve që mund të lindin. Po në kuadër të këtyre masave, gjatë orëve të para të mëngjesit të datës 1 janar e në vijim do ketë kontrolle të shtuara duke përdorur alkooltestuesit drager, me qëllim parandalimin e drejtimit të mjetit nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur”, tha drejtori i Policisë Rrugore.

Më tej shtoi:

“Në të gjithë vendin, për shkak të festave të fundvitit kanë hyrë një numër i madh automjetesh, çka ka sjellë rëndim të qarkullimit e në këtë aspekt Policia Rrugore ka rritur prezencën e saj në të gjitha akset rrugore. Policia Rrugore apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve, që për të realizuar qëllimet e tyre, të nisen më herët për të arritur në destinacion dhe të mos shpejtojnë duke shkelur rregullat e qarkullimit, të cilat janë burim aksidenti. Të festojnë e të konsumojë edhe alkool, por jo drejtues mjeti. Drejtuesit e mjeteve në raste të konsumimit të alkoolit të përdorin mjetet e transportit publik, pasi do jenë nën kontroll të rreptë të Policisë Rrugore. Njëkohësisht, apelojmë për të gjithë këmbësorët, biçikletistët dhe drejtuesit e motoçikletave, të tregojnë kujdes maksimal këto ditë e të respektojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor. Policia Rrugore uron gjithë qytetarët, gëzuar Vitin e Ri, një vit sa më të mbarë e sa më shumë siguri rrugore dhe në këtë kuadër fton gjithë qytetarët që të denoncojnë tek 112 dhe Komisariati Dixhital çdo shkelje të qarkullimit rrugor, duke u garantuar anonimat të plotë dhe reagim të shpejtë e të paanshëm.”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA